Çmimi i derivateve ka shënuar një ulje të lehtë në disa pika të shitjes në magjistralen Prishtinë Fushë Kosovë, megjithëse nafta vazhdon të mbetet në nivele relativisht të larta për konsumatorët, shkruan Kujdestari.info.
Nga fotografitë e realizuara sonte në tri pika të ndryshme të derivateve përgjatë kësaj rruge, vërehet se çmimi i naftës është 1.81 euro për litër në të tria rastet. Edhe benzina Euro Super 95 paraqitet me çmim identik prej 1.66 euro për litër.
Interesant është fakti se këto tri kompani që nuk janë larg njëra tjeters vazhdojnë prej një kohe të kenë çmime të njëjta ose pothuajse identike për derivatet kryesore. Në pika të tjera të shitjes në Kosovë mund të hasen çmime të ndryshme, varësisht nga kompania, lokacioni dhe politikat e tyre të shitjes.
Pavarësisht uljes së lehtë prej disa centësh që është vërejtur së fundmi, 1.81 euro për një litër naftë vazhdon të jetë një çmim i lartë, sidomos për qytetarët që automjetin e përdorin çdo ditë.
Lëvizjet e çmimeve të derivateve në Kosovë lidhen në masë të madhe me çmimet e furnizimit në tregjet ndërkombëtare, kostot e importit, taksat dhe marzhën e shitjes. Për këtë arsye, ndryshimet në tregun ndërkombëtar jo gjithmonë reflektohen menjëherë dhe në të njëjtën masë në pompat vendore.
















