Sot në Kosovë do të mbajë mot tërësisht i vranët dhe vende-vende me reshje shiu. Reshjet do të jenë kryesisht të dobëta dhe do të bien kryesisht në jug dhe juglindje të vendit. Në disa rajone nuk do të ketë fare asnjë pikë shiu. Në viset më të larta malore do të ketë reshje të dobëta bore. Temperaturat do të pësojnë ulje dhe erërat do të fillojnë të fryjnë nga verilindja dhe do të jenë të ftohta.
Në Shqipëri do të mbajë mot mjaft jo stabil dhe me reshje shiu. Reshje më intensive priten në jug dhe veçanërisht në juglindje, lindje dhe disa pjesë të qendrës së vendit. Pasdite vonë në viset kodrinore- malore në juglindje të Shqipërisë do të fillojnë reshje të dendura bore.
Në Maqedoninë Veriore pritet të mbajë mot tërësisht i vranët dhe me reshje vende-vende të dendura shiu. Në viset më të larta malore do të ketë reshje bore, ndërsa në Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i thatë.
Pasi që kemi të bëjmë me të njëjtin sistem ciklonik (i cili do të fuqizohet mbi Greqi) do të përmendim këtu edhe Greqinë ku nesër priten dy vorbulla ciklonike të përfshijnë Greqinë dhe priten rrebeshe dhe shtrëngata të fuqishme shiu me vetëtima bubullimë dhe breshër. Pra në Greqi nesër priten manifestime të motit mjaft ekstrem.
Nga e marta do të kemi qetësim gradual të motit në rajonin tonë dhe po ashtu edhe ngritje të sërishme të temperaturave, ndërsa nga e enjta priten reshje të reja shiu si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi.