Cikloni mjaft i fuqishëm që sot do të formohet në veri të Italisë dhe do të fuqizohet në veri të Detit Adriatik do të kushtëzojnë një ditë mjaft të trazuar në Ballkanin perëndimore ku priten shira të fuqishëm dhe erëra po ashtu mjaft të fuqishme. Erërat më të fuqishme do të jenë në detin e hapur përgjatë gati tërë Adriatikut ku vende-vende ato mund të arrijnë shpejtësinë mbi 100km/h.
Erëra mjaft të fuqishme do të ketë që nga bregdeti slloven, pastaj në bregdetin kroat dhe dalmat, pastaj në Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri dhe po ashtu edhe në brigjet e Greqisë.
Presioni i ajrit në veri të Adriatikut do të jetë jashtëzakonisht i ulët dhe kjo do të shkaktojë erërat e forta.
Erëra të fuqishme priten edhe në viset kontinentale vende-vende, ndërsa në Kosovë po ashtu priten erëra të fuqishme veçanërisht pasdite dhe ato më të fuqishmet pritet të arrijnë shpejtësinë nga 50 deri në 65 km/h., por nuk pritet të zgjasin shumë. Në Shqipërinë kontinentale vende-vende priten erëra edhe më të fuqishme.
Përpos erërave pritet të kemi një valë të re reshjesh mjaft të dendura të shiut që mund të shkaktojnë problematika të reja në rajonet e goditura nga vërshimet e fundit.
Reshjet më të dendura priten në Shqipëri, Dukagjin të Kosovës dhe Mal të Zi, lokalisht edhe në disa vise tjera.
Reshjet pritet të shoqërohen edhe me rrebeshe të fuqishme me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë, ndërsa pritet të pushojnë vonë në mbrëmje, për të vazhduar ende më të dobësuara në Shqipëri.
Reshje mjaft të dendura të martën priten në Slloveni, pjesë të Kroacisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.
Lajmi i mirë është se nga e mërkura do të pasojë stabilizimi gradual i atmosferës dhe motit dhe dita e enjte dhe e premte do të jenë të qeta dhe pa reshje atmosferike./MeteoBallkan