Një fronti i ri i ftohtë ajror mjafti fuqishëm po vjen me shpejtësi nga veriu dhe veriperëndimi. Fronti i ftohtë ajror do të jetë mjaft i pasur me lagështi, prandaj priten reshje shiu në shumë vise e në disa rajone do të jenë mjaft intensive.
Ky front i ftohtë ajror do të kushtëzojë krijimin e një cikloni të cekët në jug të Detit Adriatik dhe për këtë arsye priten shtrëngata intensive në shumë pjesë të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fronti i ftohtë po kushtëzon reshje intensive në shumë pjesë të Kroacisë e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe po i afrohet Malit të Zi e shumë shpejt do të arrijë në Kosovë nga veriu dhe pastaj edhe në veri të Shqipërisë e nesër edhe në jug të Shqipërisë dhe Maqedoninë Veriore.
Tutje do të përfshijë edhe Greqinë ku priten stuhi intensive gjatë fundjavës.
Me ardhjen e frontit të ftohtë do të krijohen vranësira të dendura dhe reshjet do të përfshijnë së pari Malin e Zi e pjesë të Shqipërisë, pastaj edhe Kosovën e në fund Maqedoninë Veriore dhe jugun e juglindjen e Shqipërisë. Reshjet do të fillojnë sonte në Mal të Zi, pastaj deri nesër pasdite do të përfshijnë gati të gjitha viset tona.
Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme dhe kalimthi mund të ketë erëra të forta nga veriu e veriperëndimi. Në Shqipëri dhe jug të Malit të Zi priten shtrëngata shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në viset tjera kryesisht reshje shiu, por vende-vende mund të jenë në formë të rrebesheve. Lokalisht priten reshje më intensive.
Këto reshje do të jenë shumë të mirëseardhura për shumë zona të Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të mungesës së madhe të reshjeve atmosferike, megjithatë nuk do të ketë reshje të mjaftueshme për të gjitha viset.
Dita e Premte do të jetë nën ndikimin e këtij fronti të fuqishëm të ftohtë ajror dhe ciklonit të cekët në jug të Detit Adriatik, kurse të shtunën ende lokalisht priten reshje, por moti do të fillojë të stabilizohet gradualisht.
Nga e diela viset tona do të jenë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike për shkak të fuqizimit të masave ajrore të thata anticiklonike dhe po ashtu priten edhe rritje të temperaturave./MeteoBallkan















