Vala e të nxehtit afrikan që ka filluar edhe në rajonin tonë do të fuqizohet gjatë kësaj fundjave duke sjellë temperatura afër 40 gradë Celsius, madje në disa zona më të nxehta ato mund të arrijnë dhe tejkalojnë këtë shifër. Fjala është për temperaturat që maten sipas standardeve globale meteorologjike nën hije ose në kutinë meteorologjike, ngase direkt në rrezet diellore ose në zonat e betonizuara urbane temperatura do të jetë edhe më e lartë.
Më e nxehta pritet të jetë e shtuna, por edhe e diela pritet të jetë ekstremisht e nxehtë. Fillimisht ishte paraparë që e diela të jetë pak më e freskët, por duke u bazuar në ecuritë më të fundit edhe e diela pritet të jetë jashtëzakonisht e nxehtë deri pasdite kur disa zona të izoluara pritet të freskohen nga ndonjë rrebesh i fuqishëm shiu me vetëtima dhe bubullimë. Këto rrebeshe pritet të jenë të përqëndruara kryesisht më shumë në disa zona kodrinore-malore. Mbrëmjen e së dieles pritet të ndjehet freskimi i motit sadopak.
Të hënën pritet të jetë paksa më freskët, por masat e nxehta afrikane kthehet shumë shpejtë duke shënuar 34 ose 35 gradë Celsius, e nga e marta përsëri mbi 35 gradë Celsius./MeteoBallkan