Java e cila po përfundon ishte mjaft e thatë dhe pa reshje atmosferike, duke shtuar edhe nxehtësinë e cila rriti intensitetin e saj në fund të javes dhe shumë nxehtë pritet të jetë edhe në ditët e vikendit.
Sot, nesër dhe të dielën do të jemi nën ndikimin direkt të masave ajrore shumë të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore, por të dielën në Kosovë do të fillojnë të depërtojnë masa më të freskëta ajrore kontinentale të përcjellura edhe me ndonjë rrebesh të izoluar shiu dhe erëra paksa të freskëta nga veriu dhe verilindja.
Pra, deri të dielën mot me diell dhe shumë i nxehtë. Të dielën në Shqipëri, jug të Malit të Zi dhe Maqedoni mbetet shumë nxehtë, por pasdite me mundësi për rrebeshe të izoluara, ndërsa në Kosovë priten ulje kryesisht të lehta të temperaturave me mundësi për rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Nga e hëna rrebeshet e pasditeve përfshijnë edhe Shqipërinë dhe po ashtu ulja e lehtë e temperaturave dhe freskimi i shumëpritur, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë prapë nxehtë dhe me zagushi, por intensiteti i të nxehtit do të jetë më i dobët.
Pra, gjatë javes së ardhshme priten intervale të gjata kohore me diell dhe pa reshje, por pasditeve nganjëherë priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive me rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe ka mundësi edhe për shtrëgnata të fuqishme, afatshkurtra lokale në tërë rajonin duke mos përjashtuar edhe ndonjë zonë bregdetare./MeteoBallkan