Masat ajrore anticiklonike do të na përcjellin edhe gjatë fillimit të javës së re dhe kjo do të karakterizohet me mot të ngjashëm, me vranësira të ulëta dhe mjegull si dhe me intervale kohore diellore në disa vise. Pra nuk kemi çka të shtojmë më tepër për dy ditët e para të javës.
Inversioni i temperaturave do të zgjasë edhe dy ditët e para të javës, ndërsa nga e mërkura nuk do të kemi më këtë fenomen aq të shprehur, sepse mbi rajonin tonë do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore dhe do të fillojnë të fryjnë erëra jugperëndimore që do të karakterizohen me efektin “fen”. Po ashtu në mesjavë priten edhe intervale më të gjata kohore diellore dhe ngrohtësia e ditës së enjte do të jetë si rezultat i afrimit të frontit të fuqishëm të ftohtë ajror me origjinë polare. Ky front do të arrijë të premten dhe do të shkaktojë ulje rapide të temperaturave dhe reshje të shumëpritura të borës në Kosovë, disa pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Në viset kodrinore-malore priten reshje intensive bore herë pas here.
Fundjava do të jetë e ftohtë dhe me reshje lokale bore, ndërsa të dielën pritet stabilizim i motit.
Informata më të hollësishme do të kemi gjatë javës./Meteoballkan