Pas kalimit të frontit të fuqishëm të ftohtë ajror në orët e hershme të mëngjesit kanë depërtuar temperatura më të ulëta nga veriu dhe veriperëndimi i Kontinentit.
Fronti kushtëzoi rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë si dhe në disa rajone pati përsëri breshër. Edhe pse sistemi ishte paraparë të zhvillohet në Dukagjin, kjo nuk ndodhi sepse sistemi i stuhive hyri nga Serbia në veri të Kosovës dhe u shpërnda në gati tërë territorin e Rafshit të Kosovës. Në Dukagjin reshjet ishin të karakterit lokal dhe shumë rajone mbeten përsëri pa reshje.
Sidoqoftë, në disa rajone pati edhe vërshime dhe dëme materiale sidomos në Anamoravë, Luginë të Preshevës dhe disa vise në Maqedoninë Veriore. Fronti tani ka kaluar dhe moti është freskuar. reshje atmosferike më nuk priten njëherë për njëherë, ndërsa erërat veriore pritet të dobësohen, por gradualisht.
Nesër na pret mot me alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Rrallë në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh afatshkurtër shiu.
Të dielën përsëri shtim i vranësirave dhe riga lokale shiu./Meteoballkan