Goditja e parë polare na kujtojë se dimri nuk është larg, ndërsa rikthimi i temperaturave verore po na kujton se vera e nxehtë posa lëshoi rajonin tonë, sidoqoftë i nxehti nuk do të jetë i fortë, ngase tanimë jemi në fund të Shtatorit dhe Afrika nuk ka fuqi të ngrohë sikur në mes të verës dhe po ashtu kemi edhe shkurtimin e ditës dhe zgjatjen e natës dhe këto ndikojnë në vlerat e temperaturave minimale të cilat pritet të jenë të ulëta, por nuk pritet brymë të paktën këto netë.
Gjatë ditëve të ardhshme kemi rikthimin e të nxehtit i cili pritet të jetë më i theksuar të dielën dhe të hënën ku temperatura maksimale mund të prek 30 gradë Celsius në disa rajone. Netët pritet të jenë të freskëta, mbase edhe të ftohta, ndërsa ditët të nxehta.
Të hënën pasdite vonë pritet destabilizim i pjesërishëm ku vetëm në disa vise mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa të martën priten reshje shiu në shumë pjesë të rajonit si dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat kthehen në vlerat normale dhe nuk pritet të jetë as ftohtë dhe as nxehtë./Meteoballkan