Që nga muaji janar i këtij viti e deri në muajin e kaluar (maj) mbi 500 persona në Kosovë janë pickuar nga rriqrat, derisa numri i të pickuarve pritet të rritet edhe më shumë me ngritjen e temperaturave.
Në komunën e Prishtinës vetëm gjatë këtij muaji janë raportuar 23 raste të pickimit nga rriqrat, derisa numër të madh të të pickuarve ka pasur edhe në komunat tjera.
Vera sjell në shumë lokacione edhe rriqrat që në disa raste paraqesin rrezik për jetën e njeriut. Prandaj, duhet ditur masat parandaluese dhe reagimi në rast pickimi nga ky lloj insekti.
Me ardhjen e verës, vjen edhe periudha e veprimit të madh të rriqrave. Dihet se pickimi nga këto insekte mund të jetë fatal, prandaj nëse keni ndonjë nga simptomat si: lodhja, temperaturë të lartë, dhimbje koke, të vjella dhe dhimbje të muskujve lajmërohuni tek doktori. Kjo pasi të gjitha këto mund të përfundojnë me meningjit.
Rriqrat fshihen në bar, degë të shkurreve ose qime të kafshëve. Prandaj, vishni pantalona, përdorni sprej kundër insekteve dhe kujdes ku qëndroni, që të mos pickoheni nga ky insekt.
Rriqrave u duhet dikund rreth 10 minuta për t’u ngjitur në lëkurë, që pastaj të thithin gjakun, por kjo nuk vërehet pasi ato lëshojnë njëlloj anestetiku përmes pështymës.
Prandaj, nëse zbuloi se jeni pickuar, ngadalë më një pincetë hiqeni rriqrën, pa i lënë ndonjë gjymtyrë dhe duke mos bërë panik drejtohuni tek doktori më i afërt, për të shikuar nëse ka pasur ndonjë ndikim, pra ju ka infektuar, apo jo.