Edhe kjo javë do të karakterizohet me mot mjaft të ndryshueshëm si pasojë e depërtimit të masave ajrore të paqëndrueshme me origjinë nga Oqeani Atlantik, megjithatë në fund të javës pritet depërtimi i një anticikloni pak më stabil i cili do të na sigurojë disa ditë stabile, me diell dhe mjaft të nxehta.
Fillimi i javës do të jetë mjaft i nxehtë, por edhe me vranësira të herëpashershme. Në viset kontinentale priten rrebeshe të izoluara shiu pasdite me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë. Masa ajrore e paqëndrueshme do të forcohet gradualisht nga e marta e posaçërisht të mërkurën kur pritet që përsëri të kemi destabilizim të fuqishëm të atmosferës me rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende priten rrebeshe të fuqishme dhe shtrëngata intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër dhe vërshime të shpejta. Disa stuhi lokale pritet të përfshijnë edhe bregdetin shqiptar. Kur themi stuhi lokale kjo nënkupton se shumë rajone mund të preken, por disa rajone mund të mos preken fare nga këto stuhi.
Nga dita e enjte pritet që të kemi depërtimin e masave më stabile ajrore anticiklonike të cilat do të kushtëzojnë stabilizim të motit dhe ngritje graduale të temperaturave, kurse nga e premta pritet “vërshim” i ajrit të nxehtë afrikan mbi rajonin tonë dhe temperaturat do të arrijnë vlera tropikale.
Pra, edhe kjo javë ngjashëm sikurse e tërë vera me mot të ndryshueshëm, nxehtësi, zagushi dhe zhvillime të vranësirave me rrebeshe dhe stuhi lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Nga e enjta reshjet pritet të pushojnë dhe në fundjavë na pret mot mjaft i nxehtë dhe stabil. Më se shumti reshje përsëri priten në viset kontinentale dhe reshjet më të pakta priten në viset mesdhetare, ndërsa jugu i Shqipërisë do të ketë reshje fare simbolike.
Ishte ky parashikimi i motit gjykuar sipas ecurive më të fundit sinoptike. Nëse ka ndonjë ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./Meteoballkan