Viti 2022 ka filluar me temperatura ditore mjaft të ngrohta dhe dukshëm mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore, jo vetëm në rajonin tonë, por gati në tërë Kontinentin evropian, me përjashtim të Skandinavisë dhe Rusisë, madje edhe atje vende-vende ka rritje të temperaturave. Në shumë vende evropiane pati temperatura ekstremisht të larta për këtë periudhë kohore.
Rajoni ynë gjatë kësaj jave pritet të ketë mot të ndryshueshëm. Fillimisht ende jemi nën ndikimin e masave të thata dhe të ngrohta anticiklonike të cilat po kushtëzojnë mot stabil, me ngrica të dobëta gjatë mëngjeseve. Temperaturat po vazhdojnë të jenë të larta, dukshëm mbi vlera mesatare. Vetëm ato minimalet janë më afër vlerave mesatare dhe në përgjithësi po vazhdon trendi i një dimri mjaft të butë sikur shumë dimra të kaluar gjatë Dhjetorit dhe Janarit. Temperatura maksimale mund të arrijë deri në 20 në Shqipëri dhe deri në 16 ose 17 në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve do të fillojnë të fryjnë erëra jugore dhe jugperëndimore dhe kjo është hyrje në përkeqësimin gradual të motit që pritet nga mesi i kësaj jave, por nuk pritet ndonjë ndryshim dramatik i motit.
Të mërkurën dhe të enjtën temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta, por edhe fronti i ftohtë do të afrohet nga veriu, në kuadër të cikloneve të fuqishme skandinave. Pritet të ketë shtim të vranësirave dhe reshje lokale shiu. Me uljen e temperaturave vende-vende në Kosovë pritet edhe fjolla bore të enjtën në mbrëmje ose natën mes së enjtes dhe së premtes. Erërat do të ndryshojnë drejtim dhe do të fillojnë të fryjnë nga veriu dhe verilindja. Temperaturat do të ulen rreth vlerave mesatare. Reshje të mëdha atmosferike nuk priten nga ky front. Në Shqipëri të premtën priten reshje shiu. Reshje bore përpos shumë viseve në Kosovë priten edhe verilindje të Shqipërisë dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Pas ditës së premte fronti i ftohtë pritet të krijojë një ciklogjenezë diku në jug të Italisë, Detin Jon dhe Mesdhe. Ky ciklon do të vazhdojë të ndikojë mbi kushtet sinoptike gjatë ditëve të ardhshme pas frontit të së entjës/premtës duke na sjellur vranësira të herëpashershme dhe reshje të herëpashershme lokale atmosferike. Ecuria dhe fuqia e këtij cikloni është “nonsens” të parashikohet nga tani.
Pra si përfundim: Deri të enjtën na pret mot kryesisht i ngrohtë dhe me erëra të herëpashershme nga jugu dhe jugperëndimi, me mëngjese të ftohta me ngrica të dobëta lokale. Të entjen shtim i vranësirave me reshje lokale shiu e bore. Gjatë natës reshje lokale bore në Kosovë dhe ulje e temperaturave. Për Fundjavë më ftohtë me mundësi për reshje të herëpashershme lokale atmosferike./MeteoBallkan