Kjo javë pritet të kemi ndryshim të motit, por jo në fillim të javës. Fillimi i javës do të karakterizohet me mot me vranësira dhe reshje të pakta atmosferike. Thatësia do të jetë dominante deri në enjten dhe po ashtu presim rritje graduale të temperaturave.
E hëna e marta dhe e mërkura do të karakterizohet me mot kryesisht të thatë po jo krejtësisht stabil. Do të ketë vranësira të shpeshta lokale dhe rrallëkund ndonjë reshje e dobët atmosferike. Të martën do të ketë më shumë vranësira, kurse të mërkurën dhe të enjten intervalet kohore me diell do të jenë dukshëm më të gjata.
Të entjen vazhdon moti i thatë, por njëkohësisht kemi afrimin e shiut. Temperaturat do të jenë relativisht të larta të enjten si pasojë e rrymimeve ajrore nga jugu, kurse nga e premtja do të kemi më shumë rrymime ajrore nga veriu.
Deri të enjten vonë presim mot relativisht të ngrohtë.
Të enjten pritet të kemi depërtimin e një sasie të konsiderueshme të ajrit të ftohtë ftohtë jo-stabil në Mesdhe apo Detin Adriatik dhe si pasojë do të kemi krijimin e një cikloni të fuqishëm në atë zonë.
Cikloni do të sjellë një sistem të fuqishëm me vranësira e reshje shiu fillimisht në Mal të Zi e Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës. Reshjet do të fillojnë të enjten pasdite në Mal të Zi dhe në mbrëmje në Shqipër. Gjatë natës apo deri në mëngjesin e së Premtes reshjet e shiu vende-vende të përziera me borë do të përfshijnë edhe Republikën e Kosovës. Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme.
Fundjava pritet të karakterizohet me mot më të ftohtë, me vranësira, mundësi për intervale kohore me diell dhe atmosferë jo-stabile që nënkupton se herë pas here do të ketë më shumë gjasa për reshje shiu, shqote e bore varësisht nga vendi dhe temperaturat.
Pra, një javë me mot të ndryshueshëm. Reshje të dobëta e rreze diellore deri të enjten mbrëma, pastaj reshje më intensive të cilat të premten përfshijnë edhe Kosovës, vende-vende të përziera me borë orëve të hershme të mëngjesit. Fundjava jo-stabile dhe më e ftohtë, me reshje lokale shiu, shqote e bore në tërë rajonin.
Deri të premten pak më ngrohtë. Nga e Premtja më ftohtë. Më së ngrohti pritet të jetë të mërkurën dhe të enjten./MeteoBallkan












