Vranësirat do të kthehen vrullshëm nesër në Kosovë, por reshjet atmosferike do të jenë kryesisht të dobëta dhe pak më shumë në lindje të vendit.
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët, i ftohtë dhe me reshje lokale shiu kryesisht në jug dhe lindje të vendit. Në viset e larta malore do të fillojnë fjolla bore, kurse në Dukagjin reshjet do të jenë shumë të pakta dhe mund të ketë edhe intervale kohore me diell.
Temperaturat do të shënojnë ulje dhe maksimalja pritet të arrijë deri në 13 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me vranësira e në disa rajone me intervale kohore me diell. Vende-vende do të rifillojnë reshjet e shiut. Në Shqipëri kryesisht me diell dhe kthjellët sidomos në viset bregdetare. Vranësira të dendura do të ketë në juglindje të Shqipërisë, por reshjet do të jenë të pakta. Pak më shumë reshje shiu priten në Maqedoninë Veriore e borë në malet më të larta të Maqedonisë.
Në Mal të Zi nuk priten fare reshje, ndërsa reshje të dobëta mund të ketë në Luginën e Preshevës.
Vranësira e periudha me diell priten nga e mërkura ndërkohë që vazhdojnë pa ndërprerje rrymimet ajrore nga veriu. Në Shqipëri më shumë kthjellime. Shumë pak reshje ose hiç fare. Temperaturat maksimale do të shënojnë rritje krejtësisht të lehta e ndonjë mëngjes mund të kushtëzojë “minuse”./MeteoBallkan
















