Nesër në Kosovë do të fillojë ndryshimi gradual i motit, megjithatë edhe nesër gjatë ditës pritet të kemi mot kryesisht stabil kurse pasdite dhe në mbrëmje në disa rajone pritet të kemi shtim të vranësirave me riga lokale shiu (kryesisht të dobëta). Reshje të dobëta lokale mund të ketë edhe gjatë natës dhe të Shtunën. Temperaturat do të fillojnë të ulën gradualisht.
Në Shqipëri edhe nesër dhe pasnesër pritet mot kryesisht stabil dhe pa ndonjë ndryshim substancial.
Edhe në Maqedoni nesër do të mbajë mot kryesisht stabil dhe pa ndonjë ndryshim. Pasnesër në disa pjesë të Maqedonisë priten reshje lokale shiu.
Të dielën në tërë rajonin tonë pritet depërtimi i masës ajrore të ftohtë dhe të lagësht nga lindja dhe verilindja. Kjo masë jostabile ajrore do të destabilizojë motin si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, ku priten reshje shiu. Reshjet më të dendura priten në jugperëndim të Maqedonisë.
Reshje do të ketë edhe të hënën si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Këto reshje do të jenë shumë të mirëseardhura dhe do të zbusin sadopak thatësinë ekstreme që po mbretëron tek ne tani e shume kohë, megjithatë këto reshje nuk do të jenë të mjaftueshme për të ngopur tokën e cila ka aq shumë nevojë për reshje me përjashtim të disa rajoneve në Maqedoni ku priten reshje më të dendura. Në viset malore do të kemi edhe reshjet e para të dëborës të cilat do të formojnë edhe shtresat e para të dëborës për këtë sezonë.
Reshjet e borës mund të paraqitën edhe nëpër disa ultësira gjatë javës së ardhsme kur do të kemi depërtimin e masave më të fuqishme të ftohta ajrore nga veriu.