Vranësirat do të fillojnë të largohen dhe të tërhiqen nga viset tona për tua lëshuar rrugën kthjellimeve edhe pse jo të plota.
Nesër në Kosovë na pret mot i ftohtë, me diell e vranësira të pakta lokale. Mëngjesi do të jetë me acar më të fortë, kurse dita po ashtu e akullt në shumë zona, përpos disa zonave të Dukagjinit ku temperatura mund të dal në “plus”.
Minimalja pritet të zbres deri në -8 gradë Celsius, në disa vise malore mund të zbres deri në -12 gradë Celsius, kurse maksimalja deri në 1 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell e vranësira lokale. Disa fjolla sporadike bore mund të paraqiten në pjesë të Maqedonisë së Veriut e juglindje të Shqipërisë. Në të gjitha viset do të jetë mjaft ftohtë, një ditë tipike dimërore, përpos perëndimit të Shqipërisë dhe jugut të Malit të Zi ku do të jetë pak më ngrohtë.
Nën ndikimin e fuqishëm anticiklonik mot pa reshje atmosferike do të vazhdojë nga e marta e tutje. Acari i mëngjesit do të fuqizohet deri afërsisht në -14 apo -15 gradë Celsius, kurse ditët do të vazhdojnë të jenë po ashtu mjaft të ftohta dhe të akullta.
Temperaturat ditore nuk do të dalin në “plus” në shumë rajone afërsisht deri të enjten, por mund të ndodhë edhe të mërkurën në mesditë. Në përgjithësi mbetet mjaft ftohtë, por asgjë ekstreme dhe krejtësisht normale për një goditje të hershme dimërore./MeteoBallkan
















