Sot në Kosovë pritet të ketë ndryshim të motit për shkak të ardhjes së vranësirave të dendura. Herë pas here priten reshje lokale shiu e po ashtu edhe rrebeshe lokale, ndërsa do të ketë edhe intervale të gjata kohore pa reshje. Paradite dhe gjatë ditës ende do të jetë relativisht ngrohtë. Pasdite ose në mbrëmje depërtim i frontit të ftohtë me erëra të ftohta veriore e reshje lokale bore.
Në viset kodrinore-malore priten intervale reshjesh të dendura bore, por në përgjithësi nuk do të ketë reshje të mëdha bore dhe se bora nuk do të jetë gjithëpërfshirëse.
Në Shqipëri gjatë orëve të hershme të mëngjesit priten rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me bubullimë sidomos në disa zona bregdetare në jug të vendit. Sot gjatë ditës priten reshje e rrebeshe të herëpashereshme lokale me vetëtima dhe bubullimë.
Reshje lokale shiu nesër priten edhe në Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe Kosovën lindore. Në mbrëmje ose natën fronti i ftohtë sjellë reshje bore në zonat kodrinore-malore, por edhe në disa ultësira. Në veri të Malit të Zi dhe disa zona tjera kodrinore-malore të rajonit priten intervale reshjesh të dendura bore.
Të entjen na pret mot i ftohtë dhe me reshje lokale bore të koncentruara kryesisht në zonat kodrinore-malore. Nganjëherë fjolla bore mund të ketë edhe në disa vise tjera. Në Shqipëri do të pasojë kthjellimi i motit.
Të premten ftohtë dhe me diell në tërë rajonin. Mëngjesi do të jetë mjaft i ftohtë, ndërsa dita me rritje graduale të temperaturave. Gjatë fundjavës na pret mot stabil, kryesisht me diell dhe rritje të temperaturave./METEOBALLKAN