Fillimi i kësaj jave do të karakterizohet me dominim të plotë anticiklonik mbi rajonin tonë, pra kjo do të thotë se nuk do të kemi reshje atmosferike.
Gjithashtu do të jemi nën ndikimin e masave të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore dhe Mesdheu dhe për këtë arsye pritet të kemi një mot të vërtetë pranveror në shumicën territoreve të rajonit tonë. Mjegulla mund të jetë karakteristikë tjetër për këtë javë sidomos nëpër lugina gjatë netëve dhe mëngjeseve, por ditët do të jenë kryesisht me diell në tërë rajonin me ndonjë përjashtim ku mjegulla mund të qëndrojë gjatë tërë ditës në ndonjë rajon specifik.
Temperaturat në tërë rajonin do të jenë dukshëm mbi mesatarën për gjysmën e Dhjetorit.
Nga mesi i javës, gjegjësisht nga e enjta anticikloni do të fillojë të dobësohet dhe mbi rajon do të fillojnë të depërtojnë masa ajrore ciklonike me origjinë nga Atlantiku. Në këtë mënyrë në Shqipëri dhe Mal të Zi nga e enjta pasdite vonë vende-vende priten reshje lokale shiu, kurse në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore do të ketë shtim të vranësirave por do të mbetet kryesisht thatë.
Nga dita e shtunë masat ajrore ciklonike pritet të fuqizohen mbi rajonin tonë dhe priten reshje lokale shiu në tërë rajonin duke përfshirë edhe Kosovën. Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta në fundjavë, por në përgjithësi do të vazhdojë të mbetet nxehtë krahasuar me periudhën kohore në të cilën gjendemi.
Ishte ky një parashikim me pak fjalë për motin gjatë javës që po hymë dhe nëse ndodhë ndonjë ndryshim eventual do ju lajmërojmë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan