Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë të premten për një rezolutë që synon heqjen zyrtare nga përdorimi të hartës tradicionale Mercator të globit dhe zëvendësimin e saj me një hartë që paraqet më saktë madhësinë e Afrikës.
Robert Dussey, ministri i Jashtëm i Togos, tha se rezoluta është sponsorizuar nga Togoja dhe mbështetet nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan, përfshirë 54 shtetet e tjera anëtare. Ai nuk specifikoi numrin e përgjithshëm të vendeve që e mbështesin.
“Ky diskutim nuk është një diskutim politik, por shkencor, sepse ka prova shkencore, ndaj të gjithë duhet ta pranojmë realitetin”, tha ai.
Rezolutat e OKB-së nuk janë detyruese, por nëse rezoluta miratohet, ajo mund të çojë në përditësimin e kurrikulave shkollore dhe teknologjive të përdorimit të përditshëm, duke pasur parasysh përdorimin e gjerë të projeksionit Mercator në arsim, teknologji dhe qeverisje.
Kjo hartë u prezantua nga hartografi flamand Gerardus Mercator në vitin 1569 për t’u ndihmuar marinarëve të orientoheshin gjatë lundrimit në dete. Gati pesë shekuj më vonë, ajo vazhdon të mbetet standardi global.
Megjithatë, për shkak të mënyrës së projeksionit, rajonet pranë ekuatorit paraqiten dukshëm më të vogla nga sa janë në të vërtetë, ndërsa zonat në gjerësi të mëdha gjeografike duken shumë më të mëdha. Për shembull, harta e paraqet Afrikën me një madhësi të ngjashme me Grenlandën, ndërsa kontinenti afrikan është 14 herë më i madh se territori danez.
Historianët dhe gjeografët kanë thënë prej vitesh se projeksioni Mercator është i rrënjosur në stereotipet perëndimore. Aktivistët kanë bërë të njëjtin argument, ndërsa disa kanë krijuar edhe termin “kolonializëm hartografik”.
Disa argumentojnë se kjo hartë ka ndikuar në mënyrë të tërthortë në dinamikat e pushtetit ndërkombëtar, duke minimizuar praninë fizike të vendeve të Jugut Global dhe duke zmadhuar vizualisht shtetet e hemisferës veriore, ndërsa zvogëlon rajonet ekuatoriale. Sipas tyre, kjo ka përforcuar paragjykimet sistemike në tregtinë ndërkombëtare, prioritetet e zhvillimit dhe sistemet arsimore.
Një nga kritikët më të njohur të projeksionit Mercator ishte Arno Peters, historian gjerman, i cili në vitin 1973 prezantoi hartën e botës së Petersit, bazuar në projeksionin Gall–Peters. Ajo është përdorur shpesh si alternativë ndaj hartës Mercator.
Fushata #CorrectTheMap e Togos po promovon përdorimin e hartës më të saktë “Equal Earth”, të krijuar në vitin 2018 nga një ekip ndërkombëtar hartografësh. Mbështetësit thonë se ajo do të ndihmojë në korrigjimin e perceptimeve për Afrikën dhe në çkolonizimin e kurrikulave globale.
Edhe disa analistë pajtohen me këtë qëndrim. JJ Enoch, bashkëpunëtor i lartë me bazë në Londër në JS Held, një kompani këshilluese për rrezikun gjeopolitik, tha se projeksioni Mercator e zvogëlon vizualisht përmasën reale të Afrikës. Ai e lidhi fushatën me përpjekjen e vendeve afrikane për “më shumë ndikim në institucionet globale dhe kontroll më të madh mbi mënyrën se si paraqitet kontinenti”.
Ai shtoi se: “Miratimi i një harte me sipërfaqe të barabarta do të ofronte një bazë më të saktë për arsimin dhe kuptimin publik, ndërsa do të sinjalizonte se rëndësia demografike, ekonomike dhe gjeopolitike e Afrikës nuk duhet të shihet më përmes konvencioneve të trashëguara dhe të shtrembëruara.”
Autoritetet togoleze shpresojnë që votimi të përfundojë njësoj si një tjetër vendim i mbështetur nga Bashkimi Afrikan në OKB këtë vit. Në mars, një rezolutë e sponsorizuar nga Gana, e cila e përshkruante tregtinë e skllevërve si “krimin më të rëndë kundër njerëzimit”, u miratua me 123 shtete që votuan pro. Tre shtete votuan kundër dhe 52 abstenuan.
Suksesi i Ganës u ka dhënë mbështetësve të ndryshimit të hartës arsye për të besuar në një rezultat pozitiv. Qeveria e Togos po planifikon një aktivitet në Lomé, kryeqytetin togolez, së bashku me UNESCO-n, Bashkimin Afrikan dhe kompani teknologjike si Google Maps, gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, për të përcaktuar mënyrën e zbatimit të rezolutës.
Dussey tha: “Atyre që pyesin pse tani, u them: pse jo? Kur shohim hartën e botës… ka ardhur koha që ta ndryshojmë narrativën.”
Ai shtoi: “Ka ardhur koha që ne në Afrikë të marrim përgjegjësinë për të ndryshuar atë që mund ta ndryshojmë vetë.”
















