Masat ajrore mjaft të nxehta me oirgjinë nga Afrika Veriore po vazhdojnë të dominojnë dhe të kushtëzojnë mot mjaft të nxehtë dhe deri më tani kryesisht të thatë.
Në Evropë vazhdojnë të dominojnë masa të freskëta ajrore me origjinë nga Atlantiku të cilat vende-vende kushtëzojnë reshje shiu dhe rrebeshe të fuqishme me vetëtima, bubullimë dhe breshër.
Këto masa jo-stabile nga Evropa fillojnë të depërtojnë nga nesër edhe në rajonin tonë, duke u miksuar me masat e nxehta dhe duke shkaktuar destabilizim të atmosferës. Fillimisht nuk pritet të kemi reshje të mëdha sepse sasia e ajrit jo-stabil do të jetë e vogël. Priten zhvillime lokale (të premtën) dhe rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë duke mos përjashtuar edhe mundësinë për breshër. Në shumë pjesë të territorit pa reshje. Ato rajone që do të kenë fatin të përfshihen nga rrebeshet do të freskohen.
Rajonet në të cilat priten rrebeshe janë: disa vise në Kosovë, perëndimi, jugperëndimi dhe veriperëndimi i Maqedonisë së Veriut, lindja e Shqipërisë dhe lugina e Preshevës. Zhvillime të izoluara priten edhe në jug, qendër dhe veri të Shqipërisë. Në Mal të Zi reshje do të më të përhapura.
Të shtunën rrebeshe priten në shumë pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Vende-vende mund të ketë zhvillime të ndonjë shtrëngate të fuqishme me rrebeshe intensive dhe breshër.
Pra, para nesh një ditë me diell dhe shumë e nxehtë, ndërsa nga nesër përpos nxehtësisë dhe zagushisë shtohen gjasat për vranësira, freski dhe rrebeshe në disa rajone. Pasnesër përpos bregdetit priten rrebeshe dhe freski në shumë rajone të viseve tona kontinentale./Meteoballkan