Përderisa po presim masat e ftohta ajrore nga Evropa verilindore edhe kësaj radhe nuk do të kemi ndonjë ciklon në Detin Adriatik i cili shpeshherë është i domosdoshëm për reshje atmosferike në rajonin tonë. Gjatë ditës së diele do të kemi reshje bore vende-vende të cilat pak më intensive do të jenë në viset kodrinore-malore.
Por energjia kryesore ciklonike do të shkojë në drejtim të Greqisë dhe veçanërisht në Turqi ku priten reshje të dendura shiu të cilat do të shndërrohen në reshje të dendura bore me uljen e temperaturave.
Pra Turqia ditëve të ardhshme do të jetë nën ndikimin kontstant të ciklonit me qendër në Detin Egje dhe shpeshherë do të ketë reshje bore, kurse ne do të duhet të presim nëse do të kemi fat herave të tjera për reshje të dendura bore. Gjatë javës së ardhshme reshje bore përpos Turqisë do të ketë edhe në shumë shtete të Lindjes së Mesme, kurse ne do të jemi nën ndikimin e anticiklonit të fuqishëm evropian i cili do të na garantojë mot kryesisht stabil, me netë dhe mëngjese të ftohta dhe ditë relativisht të nxehta