I pari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri prit në vizitë ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa. Vizita e këtij të fundit u bë për të parë dëmet që iu shkaktuan fermerëve, bizneseve edhe banorëve atje nga reshjet e 17 e 18 gushtit.
Kryetari Tahiri ka treguar se në bazë të komisionit komunal për vlerësim të dëmeve, në Vushtrri, mbi 900 mijë euro janë dëme e shkaktuara nga vërshimet që kanë ndodhur në disa fshatra të kësaj komune.
Kërkesë për kompensimin e këtyre dëmeve kanë parashtruar 268 fermerë, biznese dhe ekonomi familjare, kështu ka bërë të ditur Tahiri para mediave derisa ka treguar se deri të premten do të pranojnë kërkesa tjera për vlerësim të dëmeve nga fshatarët.
“Në këto vërshime janë dëmtuar shumë kultura bujqësore, biznese, dhe ekonomi familjare. Komuna menjëherë ka bërë komisionin komunal për vlerësimin e dëmeve, dhe deri me tani 268 fermerë, biznese dhe ekonomi familjare kanë paraqitur kërkesat për kompensim të dëmeve. Vlera e totale e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi elementare që kishim me datën 17 dhe 18 gusht në Pestovë, Dumnicë, Stanovcë i Epërm e Lumadh përfshinë shumën prej 900 mijë eurove. Mbi 200 mijë euro janë dëmet në bujqësi dhe kulturat bujqësore, mbi 200 mijë euro janë dëmet në biznes dhe mbi 300 mijë euro janë dëmet në ekonomitë familjare, përkatësisht në shtëpitë e vërshuara gjatë kësaj periudhe. Dhe komisioni komunal deri të premten do të pranoj edhe kërkesat të fermerëve të tjerë, apo të ekonomive familjare që akoma nuk janë vizituar”, ka thënë Tahiri.
Tahiri gjithashtu ka thënë se Komuna e Vushtrrisë do të ndaj 100 mijë euro për të bërë kompensimin e këtyre dëmeve nga buxheti i saj, por për kompensimin e dëmeve, ai pret edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë se për këto dëme janë ndarë 3.1 milionë euro, por që ka theksuar se nuk është e mjaftueshme për kompenisimin e të gjitha dëmeve pasi që sic thotë se Qeveria nuk ka fuqi financiare t’i mbuloj gjitha dëmet.
“Është një fatkeqësi sepse përveç COVID, viti 2020 na ka paraqitë edhe me sfidën e shtuar të shumë reshjeve dhe dëmeve të shkaktuara fatkeqësitë natyrore në sektorin e bujqësisë dhe kulturat bujqësore. Ne për herë të parë në vitin 2020, për herë të parë ministria e bujqësisë përmes buxhetit të Kosovës ka ndarë një fond prej 3.1 milionë euro për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Do të shohim nëse këto mjete do të mjaftojnë që të mbulojmë pjesërisht, pasi që fatkeqësisht nuk kemi fuqi financiare që t’i mbulojmë të gjitha këto dëme, mirëpo pjesërisht do të mbulojmë aq sa kemi fuqi financiare duke iu dal përkrah bujqve Kosovar, në këtë rast bujqve vushtrrias për të bërë kompensimin e pjesshëm të këtyre dëmeve”, ka thënë Mustafa.
E pronari i VIPA Qips, Bedri Kosumi, kërkoi nga ministrit Mustafa që të ketë sigurime për kulturat bujqësore paçi që siç tha ai ajo që ka ndodhë tash, mund të ndodhë sërish.
“Kjo që ka ndodhë në komunën e Vushtrrisë me datë 17-18 gusht, dhe në komunat tjera edhe më herët është edhe një dëshmi se kërkesa jonë është sa më shpejt në Kosovë të ketë sigurim të kulturave bujqësore sepse këto që kanë ndodhë këtë vit, kanë ndodh edhe më herët dhe do të ndodhin edhe vitet tjera… dhe ne duhet të krijojmë kushte që fermerët ta kenë të siguruar produktin e vet, ose të mbjellat e veta. Nuk po kërkojmë diçka tjetër, por atë që e kanë të gjithë dhe që ne në Kosovë edhe tash nuk e kemi sigurimin e kulturave bujqësore në fushë të hapur dhe është premtu, kemi kërkuar por edhe më tutje nuk ka ndodhë. Ministër po ju drejtohem juve urgjentisht t’i jepet mundësia në kompani të sigurimeve për kulturat bujqësore sepse për sigurimin e objekteve kemi 100 oferta ndërsa për kultura bujqësore jo”, ka thënë Kosumi.
Ndërsa, fermeri Fatmir Latifi, nga Duminca e poshtme, ka thënë se vërshimet kanë bërë dëme për të gjithë, mirëpo, ai ka thënë që jo vetëm kompensimi, por duhet të bëhet zgjidhje afatgjate për fermerët.
“Ky vërshim që ka ndodh, jo vetëm për mua, por këto vërshime kanë bërë dëme në Dumnicë, Stanovc, domethënë në këtë grykë deri në Dumnicë të epërme, përtej Pestovë e Stanocë. Unë jam për ti mbuluar disa njerëz që nuk kanë mundësi. Për vete po flas kam nevojë për gjithçka, është dëmtua ushqimi, janë dëmtuar tre viqa, e ka marrë uji grurin e të gjitha. Dëshira ime është lumin që e kemi tri Dumnicat, që të zgjerohet, dhe mundësisht pa e vetë askend, qysh është sipas standardit dhe mos ta kenë gjeneratat e ardhshme problem se qysh e kemi ne sot, e pas 10 viteve. Ma mirë është me e zgjeru lumin, se sa me i dhanë 5 mije euro mua ose X personit, po me e hekë këtë problem që e kemi sepse ky problem çdo 5 vite na ndodhë prapë. Ku ka pas ka dëmtu, ku s’ka pas s’ka dëmtua, mirëpo të gjithë jemi të lodhur prej këtij problemi të vërshimeve”, ka thënë Latifi.
Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë se pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, buxheti i subvencioneve të ministrisë së bujqësisë, buxheti për pagesa direket për vitin 2020 ka një rritje buxhetore prej 24 milion eurove, si dhe 2 milion euro buxhet shtesë për subvencionimin e pjesshëm të kësteve të interesit të kredive agrare apo agrokredive për vitin 2020.