Pas një kohe të gjatë të motit stabil për shkak të ndikimit anticiklonik dje dhe sot moti ka ndryshuar në shumë pjesë të Evropes ku ka reshje shiu e bore. Reshje dhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë ka në shumë ultësira të Evropes e sot më së shumti stuhi me bubullima ka në Itali, ndërsa në alpet italiane dhe zvicerane ka reshje të dendura bore.
Cikloni po rrugëton nga Italia veriore drejt Italisë jugore dhe pastaj drejt Greqisë dhe Turqisë duke sjellur reshje dhe ulje të temperaturave.
Reshje shiu ka që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovinë dhe janë të karakterit lokal. Gjatë ditës së nesërme reshje bore priten edhe në malet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Gjarë orëve të mbrëmjes reshje lokale shiu do të fillojnë në Shqipëri, Mal të Zi dhe veriperëndim të Kosovës si në rajonin e Pejës dhe Istogut, lokalisht edhe në ndonjë rajon tjetër. Në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi priten reshje intensive dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Gjatë natës në shumë vise të Shqipërisë pritet të ketë intensifikim të reshjeve, ndërsa nesër priten reshje të dendura shiu edhe në jug të vendit. Në viset tjera të rajonit do të mbizotërojë mot i vranët dhe herë pas here me reshje shiu, por nuk priten reshje të mëdha./MeteoBallkan















