Një javë me mot mjaft të nxehtë veror para nesh. Masa mjaft të nxehta ajrore që kanë origjinen në Afriken veriore do të depërtojnë në territoret tona duke filluar nga sot (E Hënë).
Temperaturat do të rriten nga dita në ditë në mënyrë progresive dhe po ashtu do të kemi rritjen e temperaturave minimale apo temperaturave gjatë natës dhe mëngjesit.
Vala e nxehtësisë do të jetë intensive dhe do të fillojë sot sepse temperaturat do të arrijnë dhe tejkalojnë shifrën 30 gradë Celsius, ndërsa perëndimi i Shqipërisë nuk ka patur fare ndërprerje të valës së nxehtësisë, por vetëm një dobësim dhe tani pritet të intensifikohen fuqishëm edhe atje.
Dy ditët e para të javës do të jenë plotësisht stabile, mjaft të nxehta dhe me diell. Nuk do të ketë ndonjë shansë për ndonjë zhvillim.
Stabiliteti i atmoferës vazhdon edhe në mesjavë me disa përjashtime
Të Mërkurën pritet të jetë edhe më nxehtë dhe me zagushi. Një sasi e papërfshillshme e ajrit jo-stabil mund të depërtojë të mërkurën duke krijuar disa kushte minimale për zhvillime të rrebesheve të izoluara vetëm në viset kodrinore-malore., ndërkohë që temperaturat arrijnë kulminacionin e nxehtësisë ditën e Enjte me mundësi që në Kosovë ato të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, madje mund të ndodhë edhe 38 gradë Celsius. Edhe të Enjten mund të ketë disa gjasa për zhvillime të izoluara në disa vise malore me ndonjë stuhi të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Kulminacioni i vapës verore do të arrijë të Enjten me temperatura në Kosovë deri në 38 gradë Celsius dhe 40 në vendet tradicionalisht më të nxehta të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Mundësi për destabilizim të atmosferës
Dita e Premte po ashtu parashihet shumë e nxehtë, por orëve të pasdites mund të kemi depërtimin e një fronti të dobësuar, me mundësi për destabilizim të fuqishëm të atmosferës. Ky front i dobët, i ftohtë ajror ende nuk mund të definohet qartë, por ka sinjale se mund të kemi krijimin e disa stuhive lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë dhe pastaj ulje e temperaturave. Këto stuhi sipas ecurive aktuale sinoptike vijnë orëve të pasdites së Premte dhe mbrëmjes dhe nuk do të kapin tërë territorin.
Fundjava e nxehtë, por pak më e freskët
Gjykuar sipas ecurive aktuale sinoptike fronti i së Premtes do të ndikojë në uljen e temperaturave, prandaj fundjava që vjen pas vapës së fuqishme të ditëve të javës do të jetë pak më e freskët, por kryesisht stabile sepse nuk do të kemi stacionimin e ajrit jo-stabil nga dita paraprake.
Pra, një javë shumë e nxehtë dhe me rritje të temperaturave nga dita në ditë. Më së nxehti do të jetë e Enjta me temperatura afër 40 gradë Celsius. Të Premten pasdite vonë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, pastaj ulje kryesisht të lehta të temperaturave. Fundjava kryesisht me diell dhe pak më e freskët.
Ishte ky parashikimi i motit për këtë javë. Ndryshime të vogla gjithsesi se mund të ketë. Për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përdtishme në mbrëmje dhe në mëngjes, apo ndonjëherë edhe gjatë dites./MeteoBallkan