Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës ka njoftuar se për “t’i mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për t’i shmangur mbingarkesat” është detyruar të bëjë kufizime në rajonin e Rahovecit dhe Prizrenit.
“Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës): rreth 12 MW; NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit): rreth 10 MW. Me pak kujdes dhe kursim gjatë këtyre intervaleve, ndihmojmë që sistemi të funksionojë sigurt dhe pa mbingarkesa, veçanërisht në prag të festave të fundvitit. Ekipet e KOSTT janë në gatishmëri të plotë dhe në terren, për të reaguar me kohë dhe sa më shpejt ndaj çdo situate”, ka njoftuar KOSTT.
Përmes një njoftimi KOSTT u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve, institucioneve e bizneseve që ta përdorin me kujdes energjinë elektrike.
Sipas njoftimit, ditët e fundit konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar edhe rekordet e mëparshme, derisa ka publikuar edhe intervalin kohor se kur ka më shumë ngarkesë.
“Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës vazhdon të përballet me ngarkesë të rritur, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Ditët e fundit, konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar edhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem. Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00 ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se kujdes i shtuar nevojitet në zonat: Rahovec, Malishevë, Prizren, Dragash, Gjilan dhe Lipjan.














