Fronti i ftohtë e ditës së sotme solli rrebeshe lokale shiu në pjesë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe ulje të temperaturave në disa rajone, megjithatë fronti ishte tepër i dobësuar për të kushtëzuar reshje aq shumë të nevojshme në shumë rajone. Madje edhe ato reshje që u parashikuan ishin të dobëta dhe më të izoluara se në parashikime.
Sidoqoftë, sonte apo orëve të ardhshme ende në disa rajone mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh shiu, por në përgjithësi asgjë domethënëse me disa përjashtime.
Pas frontit të ftohtë ka pasuar ulja e temperaturave dhe nata e sontme dhe mëngjesi i nesërm do të jetë ndjeshëm më e freskët.
Nga nesër, e mërkurë do të ketë stabilizim të menjëhershëm dhe të plotë të atmosferës dhe po ashtu do të kemi edhe rritje të temperaturave dhe rikthim të valës së fuqishme të nxehtësisë afrikane, madje edhe intensifikim të saj.
Rryma ajrore direkt nga Afrika veriore do të fillojnë të fuqizohen së bashku me erërat e nxehta nga jugu dhe juglindja në të gjitha viset tona temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme sidomos të enjten e gjatë fundjavës.
Në Kosovë temperaturat maksimale parashihet të luhaten nga 30 deri në 37 gradë Celsius, kurse në Shqipëri e Maqedoninë Veriore do të kemi shifrat 40 gradë Celsius. Gjithashtu do të kemi rritje të temperaturave minimale dhe mund të ndodhë që të kemi ndonjë natë tropikale ku temperatura minimale nuk do të zbres nën 20 gradë Celsius.
Me rritjen e temperaturave në viset tona, në Evropë do të shpeshtohen stuhitë verore sidomos në rajonet ku temperaturat afrikane ndeshen me temperaturat e freskëta nga Atlantiku. Kufiri dhe zonat ku këto temperatura ndeshen do të ketë zhvillime intensive konvektive dhe stuhi të fuqishme shiu e breshëri, ndërkohë që brenda territoreve të Evropes perëndimore do të depërtojnë masa ajrore mjaft të freskëta me origjinë nga Atlantiku.
Si pasojë e afrimit të këtyre masave jo-stabile stuhi intensive priten edhe disa rajone në Ballkanin verior e veriperëndimor dhe në fundjavë disa nga këto stuhi mund të zhvillohen edhe në pjesë të Kosovës sidomos në viset kodrinore-malore, por ne do të jemi larg zhvillimeve shumë intensive për shkak të anticiklonit afrikan.
Pra, nga e enjta vazhdon vapa mjaft e fuqishme afrikane, ndërsa mund të ketë rrebeshe të izoluara në disa rajone malore. Në fundjavë shumë nxehtë, por njëkohësisht në Kosovë mund të kemi stuhi të izoluara me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Sipas ecurive aktuale sinoptike këto stuhi do të jenë të përqëndruara kryesisht rreth zonave kodrinore-malore, por kjo mund të ndryshojë.
Ishte ky parashikimi i motit për këtë javë e cila pritet të jetë shumë e nxehtë dhe ndoshta më e nxehta deri tani gjatë kësaj jave për Kosovën. Ndryshime parashihen në parashikim kur kemi të bëjmë për fundjavën dhe për çdo ndryshim do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan












