Të mërkurën në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë, por pa nxehtësi të madhe. Do të fryjnë erëra nganjëherë të freskëta nga verilindja, ndërsa vranësira të pakta mund të ketë në disa zona malore.
Temperaturat parashihet të lëvizin nga 14 minimalja deri në 32 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e mërkura pritet të kushtëzojë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale kryesisht në disa vise kodrinore-malore. Nxehtë në pjesët mesdhetare të Shqipërisë dhe pak më freskët në pjesët kontinentale.
Pasdite rrallë në disa rajone malore në jug dhe juglindje të Shqipërisë mund të ketë paraqitje të ndonjë rrebeshi të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë nga disa zhvillime të izoluara konvektive.
Ditëve të ardhshme na pret mot stabil dhe kryesisht me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje pothuajse çdo ditë nga një ose dy gradë Celsius.
Pasditeve në jug dhe juglindje të Shqipërisë parashihen zhvillime të dobëta konvektive dhe çdo ditë mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht në zonat kodrinore-malore duke mos përjashtuar edhe lindjen e Shqipërisë./MeteoBallkan














