Monitoruesi i klimës i Bashkimit Evropian tha të enjten se gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, teksa temperaturat e oqeaneve arritën gjithashtu nivele të paprecedentë dhe Evropa Perëndimore shënoi verën më të nxehtë.
Në përgjigje të vlerësimit të Shërbimit të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se derisa njerëzimi të heqë dorë nga lëndët djegëse fosile, planeti do të zhytet gjithnjë e më thellë në terrene të panjohura.
Vëzhgimet e Kopernikut datojnë që nga viti 1940, por dëshmi të tjera – si mostrat e akullit, unazat e pemëve dhe skeletet e koraleve – u mundësojnë shkencëtarëve ta vendosin klimën e sotme në një kontekst historik shumë më të gjatë.
“Njerëzit nuk kanë përjetuar temperatura aq të larta sa sot, me shumë gjasë, të paktën gjatë 100.000 vjetëve të fundit”, tha për AFP-në Samantha Burgess nga Qendra Evropiane për Parashikime Meteorologjike Afatmesme, e cila mbikëqyr Kopernikun.
Temperaturat mesatare globale të ajrit në gusht ishin 16.96 gradë Celsius, tha Koperniku – 0.01 gradë më shumë se rekordi i mëparshëm brenda një muaji, i vendosur në korrik 2023. Koperniku tha se i konsideron këta dy muaj bashkërisht më të nxehtët, duke pasur parasysh diferencën shumë të vogël në temperatura.
Shkencëtarët thonë se aktiviteti njerëzor – kryesisht djegia e qymyrit, naftës dhe gazit – e ka ngrohur planetin me rreth 1.4 gradë Celsius që nga periudha paraindustriale dhe ka rritur ashpërsinë dhe gjasat për episode të motit ekstrem.
Megjithatë, emetimet e gazeve serrë arritën nivele të reja rekord në vitin 2025.
“Dëshmitë janë të pakundërshtueshme: ky është çmimi që po rritet si pasojë e varësisë së njerëzimit nga lëndët djegëse fosile dhe krizës globale klimatike që ajo po ushqen”, tha shefi i klimës në Kombet e Bashkuara, Simon Stiell, duke komentuar raportin e Kopernikut.
Temperaturat e sipërfaqes së deteve në mbarë botën gjithashtu shënuan një rekord të ri ditor dhe u barazuan me rekordin për muajin gusht, pas tre muajsh të temperaturave rekord të regjistruara në oqeanet e tokës.
Më shumë se 90 për qind e nxehtësisë së tepërt nga emetimet e gazeve serrë është përthithur nga oqeanet, duke e mbrojtur tokën nga ngrohja, por me kosto të madhe për jetën detare, shkëmbinjtë koralorë dhe komunitetet bregdetare.
Rekorde të reja u regjistruan në Atlantik dhe Mesdhe, por edhe në Paqësorin tropikal, ku fenomeni klimatik, El Njino, që vlerësohet se është më i fuqishmi në epokën moderne, po forcohet me shpejtësi.
Shkencëtarët presin që rekordet të vazhdojnë të thyhen në muajt në vijim, teksa “Super El Njino” i afrohet intensitetit maksimal rreth dhjetorit, dhe që viti 2027 – e ndoshta edhe 2026 – të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
“Ndryshimet klimatike e bëjnë çdo El Ninjo më të nxehtë dhe derisa të ndalojmë djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, muajt që thyejnë rekordet e nxehtësisë do të vazhdojnë të vijnë”, tha Friederike Otto, shkencëtare e klimës në Kolegjin Imperial të Londrës.
Koperniku tha po ashtu se gushti “shënoi fundin e verës më të nxehtë të Evropës Perëndimore”, e cila tejkaloi rekordin e vendosur më 2003.
Sezoni nga qershori deri në gusht u karakterizua nga valë të njëpasnjëshme të forta të të nxehtit, të cilat detyruan autoritetet që të mbyllnin shkollat, thanë lumenj dhe përgatitën terrenin për zjarre shkatërruese./REL















