Një sistem i fuqishëm me presion të ulët që ditët e fundit tërhoqi vëmendjen në Mesdhe, për shkak të mundësisë së zhvillimit në një “medicane”, nuk arriti të shndërrohej në një ciklon të plotë mesdhetar.
Sistemi u zhvillua fillimisht në zonën mes Sicilisë, Tunizisë dhe Maltës dhe më pas lëvizi drejt Jonit dhe Greqisë. Temperaturat e larta të ujërave të Mesdheut favorizuan aktivitetin konvektiv dhe reshjet.
Megjithatë, sipas një parashikimi të përditësuar sistemi u dobësua më shumë se sa pritej dhe nuk arriti të marrë strukturën e një “medicane”. Më 17 shtator, ai ndodhej pranë Kretës dhe pritej të sillte vetëm reshje lokale përpara se të dobësohej më tej drejt Dodekanezit dhe Karpathosit.
Për sot, 18 shtator, parashikimet e Observatorit Kombëtar të Athinës tregojnë kryesisht mot të kthjellët në Greqi, me reshje lokale të mundshme në pjesën perëndimore dhe në disa zona të Jonit e Peloponezit.
Megjithatë, vetë fenomeni i “medicane”-ve mbetet një dukuri interesante e Mesdheut. Këto sisteme të rralla mund të marrin karakteristika të ngjashme me ciklonet tropikale kur kombinimi i ajrit të ftohtë në lartësi dhe ujërave të ngrohta të detit krijon kushtet e përshtatshme.












