Pas shumë ditëve të nxehta më në fund temperaturat po pësojnë ulje në të gjitha viset e rajonit tonë e sidomos në viset kontinentale, megjithatë reshjet atmosferike janë ende shumë të pakta duke pas para sysh nevojën e madhe për reshje atmosferike pas një periudhe të gjatë thatësie.
Kjo javë na dërgon direkt në vjeshtë edhe astronomike edhe faktike sepse temperaturat do të ulën ndjeshëm sidomos të martën dhe të mërkurën e sidomos ato minimale. Reshjet do të jenë të pakta në përgjithësi simbolike, po në disa rajone parashihen reshje pak më intensive.
Masat e ftohta ajrore po vinë së bashku me fillimin e vjeshtës astronomike dhe në disa nga viset më të larta të rajonin mund të paraqiten fjollat e para të dëborës.
Reshje lokal shiu priten të martën në pjesë të Kosovës e në Shqipëri priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Të mërkurën përmirësim i motit në të gjitha viset por mbetet mjaft freskët e në mëngjes ftohtë.
Mëngjesi do të jetë i ftohtë edhe të enjten, kurse dita me diell dhe me rritje të temperaturave. Atmosfera do të jetë tërësisht stabile.
Një tjetër ndryshim moti presim ditën e Premte me shtim të vranësirave si pasojë e një fronti të ri të ftohtë ajror dhe një cikloni të dobët në Mesdhe. Si pasojë priten reshje shiu që do të vinë nga veriperëndimi i Kontinentit në drejtim të juglindjes. Në Shqipëri priten reshje paksa më intensive dhe mund të ketë edhe stuhi lokale me bubullima në viset bregdetare.
Temperaturat do të shënojnë ulje në tërë rajonin ditën e Premte.
Të shtunën dhe të dielën sipas të gjitha gjasave do të kemi stabilizim gradual por të plotë të motit dhe rritje graduale por të sigurte të temperaturave.
Tranzicioni nga vera në vjeshtë po ndodhë në kohën e duhur, por kjo nuk do të thotë se vera ka përfunduar.
Ka gjasa që të kemi një anticiklon të fuqishëm në fund të këtij muaji dhe në fillim të Tetorit që do të na sigurojë shumë ditë të mira e stabile, madje edhe verore, por kjo nuk mund të themi se është e sigurt sepse ndryshime në parashikim mund të ketë, por ka një sinjal.
Për çdo ndryshim eventual që mund të ndodhë na ndiqni në postimet tona të përditshme sepse aty i përditësojmë informacionet më të fundit dhe zhvillimet/parashikimet më të fundit sinoptike duke u bazuar në modelet më të sakta dhe më të njohura globale për parashikim të motit./MeteoBallkan















