Periudhës së gjatë pa reshje atmosferike, po i vjen fundi dhe kjo për shkak të lëvizjes së një cikloni, i cili në Mesdhe apo Itali po sjell reshje atmosferike në pjesë të Ballkanit, sidomos në Viset tona.
Në Shqipëri kanë filluar rrebeshe intensive në disa rajone dhe këto do të vazhdojnë edhe gjatë dy-tri ditëve të ardhshme, për shkak të ndikimit të këtij cikloni i cili po lëviz ngadalë nga veriu i Italisë drejt jugut të Italisë.
Përpos Shqipërisë, kësaj radhe reshje priten edhe në shumë pjesë të Kosovës. Fillimisht reshje priten në Dukagjin, e më pak në lindje të Kosovës, por me fuqizimin e ndikimit ciklonik, reshje do të ketë edhe në Rrafshin e Kosovës.
Edhe pse jemi në tetor, për shkak të temperaturave të larta, këto reshje do të jenë në formë të rrebesheve me vetëtima dhe bubullima, sepse fenomeni me vetëtima dhe bubullima është më i rrallë në vjeshtë në viset tona kontinetale.
Në Itali, sistemi ka sjellë reshje të dendura, stuhi dhe rënie të temperaturave, ndërsa paqëndrueshmëria atmosferike pritet të vazhdojë edhe në disa zona të rajonit.
Megjithatë, ndikimi i sistemit nuk do të jetë i njëjtë në të gjitha vendet e Ballkanit. Intensiteti dhe shpërndarja e reshjeve do të varen nga lëvizja e mëtejshme e ciklonit dhe zhvillimi i kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim.
Reshjet më të dendura nga ky ciklon priten në shumë pjesë të Shqipërisë dhe në jug të Malit të Zi, ku priten edhe stuhi me vetëtima dhe bubullima.
Reshje priten edhe në shumë pjesë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës, por do të jenë më të pakta në sasi krahasuar me viset mesdhetare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Nga ky ciklon reshje shumë intensive do të përfshijnë edhe Greqinë, ku priten edhe shtrëngata të forta shiu dhe reshje të dendura vende-vende.
Këto reshje do të jenë jashtëzakonisht të mirëseardhura, sidomos për Shqipërinë dhe shumë pjesë të Kosovës, të cilat kanë vuajtur shumë gjatë nga mungesa e reshjeve.
Reshjet do t përmirësojnë gjendjen hidrologjike në Kosovë dhe Shqipëri sepse periudhat e gjata pa reshje po lënë pasoja. /MetoBallkan/















