Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët por relativisht nxehtë, ka mundësi që të ketë edhe intervale kohore me diell. Pasdite vonë dhe në mbrëmje pritet të fillojnë reshjet lokale të shiut.
Në Shqipëri do të kemi mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu. Reshjet e shiut do të fillojnë në mëngjes në jug të vendit, kurse gjatë dites pritet të shtrihen në pjesët tjera të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se do të ketë reshje pa ndërprerje, por herë pas here.
Reshjet e shiut vonë pasdite do të fillojnë edhe në Maqedoni, kurse reshje më intensive priten në jug dhe perëndim të Malit të Zi.
Gjatë natës së ardhshme reshjet e shiut do të intensifikohen në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ku vende -vende do të ketë edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe shiu priten edhe në Kosovë dhe Maqedoni por të cilat pritet të ndërpriten pasditën e së dieles për të rifilluar përsëri natën mes së dieles dhe së hënës.
Mot mjaft jostabil do të kemi ditën e hënë në tërë rajonin duke përfshirë këtu Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi. Pritet të kemi rrebeshe të fuqishme lokale të herëpashershme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Gjatë mbrëmjes pritet depërtimi i frontit të ftohtë dhe ulja e temperaturave ku në viset kodrinore-malore në Kosovë priten edhe reshje bore. Reshjet e borës mund të paraqiten edhe në ndonjë qytet apo qytezë të Republikës së Kosovës. Reshje të dendura bore priten në veriun e Malin të Zi, kurse reshjet e bores pritet të paraqiten edhe në malet më të larta të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Dita e martë do të jetë mjaft e freskët dhe me erëra të ftohta veriore, por pritet të ketë ndërprerje të reshjeve dhe stabilizim gradual të motit./Meteoballkan