Cikloni i fuqishëm i cili do të stacionohet mbi Gadishullin Ballkanik nga e diela e tutje do të shkaktojë reshje të fuqishme shiu në rajon, posaçërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, pjesë të Kroacisë dhe Serbisë. Këto rajone janë të rrezikuara nga reshje mjaft të fuqishme dhe të pandërprera të shiut dhe rrebesheve të fuqishme me vetëtima dhe bubullimë. Kjo vjen si pasojë e stacionimit dhe ngadalësimit ekstrem të rrugëtimit të masave ajrore ciklonike dhe reshjet e fuqishme do të koncentrohen në vende të njëjta për një kohë të gjatë.
Vlenë të theksojmë se rrebeshe të fuqishme shiu do të përfshijnë edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë Veriore, por edhe Kosovën. Megjithatë për momentin shtetet dhe rajonet që i përmendëm më lartë janë shumë më të rrezikuara. Meteorologët rajonal tanimë kanë dalë me paralajmërime serioze, ndërsa sipas ecurive aktuale dhe observimeve tona edhe Maqedonia Veriore do të preket nga vërshimet. Vërshime lokale gjithsesi se do të ketë edhe në Shqipëri dhe Kosovë, por jo në shkallë të lartë siç parashihet për Bosnjën dhe Hercegovinen dhe Maqedoninë Veriore.
Gjithsesi ne do të jemi duke e përcjellur me shumë vëmendje situaten sinoptike dhe do të ju mbajmë të informuar ditëve në vijim për çfarëdo ndryshimi eventual./Meteoballkan
















