Kjo fundjavë pritet të na “befasojë” me mot mjaft të ndryshueshëm ku dita e parë e fundjavës ose e shtuna pritet të karakterizohet me stabilitet atmosferik dhe me temperatura të larta verore, ndërkohë një front i ftohtë ajror depërton në Ballkan dhe shkakton destabilizim mjaft të fuqishëm të atmosferës.
Përderisa të shtunën te ne do të kemi diell dhe nxehtësi në vendet fqinje veriore e veriperëndimore do të fillojnë stuhi të fuqishme të izoluara që nga pjesë të Sllovenisë, Kroacisë, sidomos në pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Serbisë priten shtrëngata lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.
Deri në mbrëmje vranësira të shiut mund të përfshijnë disa pjesë të Republikës së Kosovës sidomos në veri të vendit ku mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Masa jo-stabile ajrore me vranësira e rrebeshe shiu me vetëtima e bubullimë në Kosovë depërton ditën e diel ku pas një paraditeje të nxehtë dhe me diell gjatë ditës menjëherë ose pasdite do të ketë shtim dhe grumbullim masiv të vraënsirave dhe zhvillim të tyre konvektiv. Rrebeshe intensive dhe vranësira të dendura do të përfshijnë pjesë të Kosovës me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Pra, e kemi fjalën për të dielën.
Përpos Kosovës rrebeshe lokalisht intensive të dielën priten edhe në pjesë të Maqedonisë së Veriut, shumë pjesë të Shqipërisë, Malit të Zi e Luginës së Preshevës. Në Shqipëri zhvillimet do të jenë në zona më të izoluara, prandaj stuhitë e së dieles do të kapin vetëm disa rajone të vendit. Për dallim nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore do të kenë më shumë rrebeshe shiu të cilat do të jenë më të përhapura. Normalisht disa rajone mund të mbesin me më pak reshje sepse kemi të bëjmë me stuhi verore.
Më aspektin termik temperaturat do të jenë të larta të shtunën, ndërsa do të përsojnë ulje të ndjeshme të dielën sidomos në zonat me rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Pra, edhe një herë: e shtuna stabile me diell dhe mjaft e nxehtë. Në mbrëmje me disa zhvillime të izoluara sidomos në veri të Kosovës e ndoshta edhe ndonjë rajon tjetër mund të shohim vetëtima e ndonjë rrebesh ose stuhi kalimtare shiu. Të dielën zhvillime të fuqishme dhe rrebeshe shiu në shumë rajone, vende-vende intensive të shoqëruara me vetëtima, bubullimë, erëra të fuqishme kalimtare dhe po ashtu ka mundësi që të ketë edhe breshër.
Stabilizim gradual të motit sipas ecurive aktuale sinoptike pritet menjëherë mbrëmjen e së dieles eventualisht të hënën./MeteoBallkan














