Vendosja e duarve në tokë dhe prekja e barit, pemëve apo myshkut ofron një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore, për lëkurën dhe sistemin tonë imunitar.
Studimet sugjerojnë se ia vlen të shtrijmë dorën për të prekur pemët, shkurret dhe tokën pranë të cilave zakonisht kalojmë. Mira Grönroos, ekologe dhe studiuese e shëndetit të lidhur me natyrën në Institutin Finlandez të Mjedisit, u kërkoi njerëzve të fërkonin duart me toknë, torfë dhe myshk për 20 sekonda, si pjesë e një eksperimenti. Ajo zbuloi se sasia dhe larmia e mikrobeve në lëkurën e tyre u rritën, edhe pasi i shpëlanë duart me ujë rubineti. “Me sy të lirë, duart dukeshin të pastra”, thotë ajo, “por ndryshimi ishte kaq i madh”.
Ideja për të pasur më shumë baktere në lëkurë mund të mos tingëllojë tërheqëse. Por kur një përzierje e pasur mikrobesh jeton së bashku, ato e mbajnë njëra-tjetrën nën kontroll dhe na mbrojnë nga bakteret më të dëmshme, patogjene. Një numër gjithnjë e më i madh studimesh tregon se kontakti me materiale natyrore, si toka dhe bimët, është një mënyrë e thjeshtë për të rritur larminë mikrobike të lëkurës dhe se kjo nuk i sjell përfitime vetëm lëkurës, por edhe sistemit imunitar, raporton BBC.
Njëzet sekonda nuk janë shumë – do të ndaloja me kënaqësi gjatë shëtitjes për të prekur lëvoren e ndonjë peme ose për t’u ulur në bar. Por sa më gjatë, aq më mirë, thotë Grönroos, pasi në eksperimentin e saj “mikrobiota e lëkurës u rikthye shumë shpejt në një gjendje të ngjashme me atë që kishte më parë”. Rezultatet sugjerojnë se kontakti i zgjatur ose i shpeshtë i lëkurës me natyrën mund të ndryshojë ndjeshëm atë që ndodh në lëkurën dhe trupin tonë.
Duart me baltë janë diçka normale për fëmijët në kopshtin Aurinkolinna në Finlandën qendrore. Ata kalojnë të paktën disa orë çdo ditë duke luajtur jashtë në një hapësirë të pyllëzuar, duke vrapuar mes shkurreve dhe pemëve, duke u ngjitur në litarë, duke ndërtuar kështjella me rërë, duke luajtur në pellgje dhe duke kapur grushta me dhe e copa druri.
Në fund të çdo dite, ata janë të mbuluar me baltë nga koka te këmbët. Shkencëtarët tani po studiojnë se si kjo mund të jetë e dobishme për shëndetin e tyre. Duke analizuar mikrobet në lëkurën, pështymën dhe jashtëqitjen e fëmijëve, së bashku me mostrat e gjakut dhe flokëve, studiuesit po mësojnë se çfarë ndodh me sistemin e tyre imunitar gjatë një periudhe trevjeçare, kur natyra përfshihet në hapësirat ku ata luajnë çdo ditë.
Aurinkolinna është një nga 43 kopshtet në Finlandë që marrin pjesë në projektin kërkimor Vahvistu, i cili bazohet në një studim të fundit dyvjeçar të udhëhequr nga shkencëtarja e mjedisit Marja Roslund.
Në vitet 2016–2017, ajo solli sipërfaqen e pyllit në oborrin e një kopshti – së bashku me torfë dhe kuti për mbjellje – dhe mati ndikimin tek bakteret e lëkurës, pështymës dhe zorrëve të fëmijëve pasi ata luajtën rregullisht aty për 28 ditë dhe më pas përsëri pas një viti. Krahasuar me fëmijët që luanin në një oborr të shtruar, ata që luanin në sipërfaqen e pyllit kishin larmi më të madhe mikrobesh në lëkurë edhe një vit më vonë.
Kjo larmi është e rëndësishme për shëndetin e lëkurës. Rritja e shumëllojshmërisë së baktereve në lëkurë mund të parandalojë që bakteret shkaktuese të sëmundjeve të bëhen dominuese, duke mbajtur në ekuilibër komunitetin mikrobik, thotë Roslund. “Sëmundja është si një diktator, ndërsa lëkura e shëndetshme është si një demokraci.”
Studimi i Roslund gjeti më pak patogjenë potencialë në lëkurën e fëmijëve kur ata luanin në sipërfaqen e pyllit, me gjasë sepse numri dhe larmia e mikrobeve të tjera ua zënë hapësirën këtyre baktereve “të këqija”. “Meqë ka shumë nga gjithçka tjetër, nuk ka aq shumë hapësirë për patogjenët”, thotë ajo.
Lëkurë e shëndetshme, trup i shëndetshëm
Kujdesi për lëkurën sjell përfitime që shkojnë shumë më thellë. Shëndeti i lëkurës mund të ndikojë në aktivitetin hormonal, sëmundjet kardiovaskulare dhe madje edhe funksionet njohëse. Në veçanti, kërkimet kanë filluar të tregojnë se ekspozimi i lëkurës ndaj një shumëllojshmërie bakteresh mund të ndikojë në sistemin tonë imunitar.
Roslund u kërkoi një grupi fëmijësh të vegjël të luanin në një kuti rëre të pasuruar me tokë me shumëllojshmëri mikrobike, ndërsa një grup tjetër luante në një kuti rëre që dukej e njëjtë, por përmbante më pak larmi mikrobesh. Siç mund të pritej, larmia e disa baktereve në lëkurën e fëmijëve u rrit kur ata luanin në kutinë e rërës të pasur me mikrobe. Por pati gjithashtu ndryshime në shënuesit imunitarë, të quajtur citokina, në mostrat e gjakut të këtyre fëmijëve, të cilat mbështesin rregullimin e sistemit imunitar – aftësinë e tij për të luftuar kërcënimet pa u bërë tepër aktiv.
Kontakti me tokën dhe bimët nuk i sjell përfitime vetëm lëkurës, por edhe sistemit imunitar.
Janë këto dhe gjetje të ngjashme që frymëzuan projektin Vahvistu. Në Aurinkolinna, financimi qeveritar ka ndihmuar në transformimin e oborrit, i cili tani përfshin copa druri në vend të zhavorrit, një hapësirë më të madhe me rërë dhe shtigje prej druri, krahas pemëve të mështeknës dhe pishave që ndodheshin aty më parë.
Kërkimet pas projektit Vahvistu mbështesin atë që njihet si “hipoteza e biodiversitetit” – ideja se ajri, bimët dhe toka të pasura me mikrobe të ndryshme kanë një ndikim të rëndësishëm në mikrobiomën e njeriut dhe, për rrjedhojë, në shëndetin tonë. Prej kohësh është sugjeruar se humbja e biodiversitetit në mjedisin tonë mund të jetë një nga arsyet pas rritjes aktuale të sëmundjeve të lidhura me sistemin imunitar, dhe kërkimi i Roslund mund të ndihmojë të shpjegojë se si dhe pse ndodh kjo.
Ajo zbuloi se një familje bakteresh, e quajtur gamaproteobaktere, luan një rol veçanërisht të rëndësishëm. Larmia e gamaproteobaktereve u rrit në lëkurën e fëmijëve kur ata luanin në oborrin me sipërfaqe pylli, dhe kjo rritje lidhej me më shumë qeliza T rregulluese – qeliza të bardha të gjakut që ndihmojnë në kontrollin dhe balancimin e sistemit imunitar dhe janë të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve autoimune.
Për momentin, nuk është e qartë saktësisht se çfarë do të thotë kjo për sëmundjet e ndërmjetësuara nga sistemi imunitar, si ekzema, astma apo alergjitë. “Nuk mund të themi ende se kur keni kontakt me natyrën, nuk do të prekeni nga astma, për shembull. Por duket se kjo mund të zvogëlojë mundësinë e shfaqjes së këtyre çrregullimeve të sistemit imunitar”, thotë Grönroos.
Duart në tokë
Këto përfitime shëndetësore nuk shihen vetëm te fëmijët. Në një studim, të rriturve iu kërkua të rrisnin perime brenda shtëpisë gjatë dimrit; disa përdorën tokë me shumëllojshmëri mikrobike, ndërsa të tjerë përdorën tokë që dukej e ngjashme, por kishte pak mikrobe. Ata kujdeseshin çdo ditë për bimët për një muaj dhe konsumonin prodhimet e tyre. Ata që përdorën tokën me shumëllojshmëri mikrobike patën një rritje të larmisë së baktereve në lëkurë dhe të numrit të citokinave anti-inflamatore në gjak – ndërsa grupi tjetër nuk pati ndryshime të tilla.
“Kur dal jashtë me fëmijët e mi, nëse duan të mbledhin ndonjë boçë pishe apo shkopinj, nuk u them ‘jo’. I lejoj t’i sjellin në shtëpi dhe të luajnë me to.” – Mira Grönroos.
Ky lloj kopshtarie “është një shembull i mirë i një mënyre lehtësisht të arritshme për të pasur kontakt me natyrën dhe ishte mjaft befasuese që kjo lloj ekspozimi tregoi vërtet ndryshime në funksionimin e sistemit imunitar”, thotë Grönroos.
Në një tjetër studim, studiuesit vendosën “mure të gjelbra” të përbëra nga bimë të gjalla në zyrat finlandeze dhe matën efektin te punonjësit pas dy javësh. Ata gjetën se larmia e mikrobeve në lëkurën e tyre ishte rritur dhe nivelet e citokinave pro-inflamatore në gjak ishin ulur. Gjithashtu vunë re një rritje të mikrobeve Lactobacillus në lëkurë, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e saj.
Grönroos i zbaton gjetjet e saj edhe me familjen e saj. “Kur dal jashtë me fëmijët e mi, nëse duan të mbledhin ndonjë boçë pishe apo shkopinj, nuk u them ‘jo’. I lejoj t’i sjellin në shtëpi dhe të luajnë me to.”
Grönroos shton se duhet të fillojmë ta zbatojmë këtë mënyrë të menduari edhe në qytetet tona. “Qytetet duhet të ndërtohen në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të lidhen me natyrën. Do të ishte mirë që një pjesë e këtij kontakti të ishte e paqëllimshme, në mënyrë që njerëzit të mos kenë nevojë të vendosin të shkojnë diku; ata do të kishin kontakt me natyrën rrugës për në punë ose shkollë.”
Ka ende shumë për t’u zbuluar nga shkenca rreth mënyrës se si kontakti me natyrën ndikon në sistemin imunitar, por për Grönroos, gjetjet deri tani janë të mjaftueshme për ta bërë baltën në duar dhe tapetin e pistë një gjë që ia vlen. “Rreziku është i ulët”, thotë ajo, ndërsa ka “shumë përfitime të mundshme pa ndonjë dëm të madh të dukshëm”.
Këto gjetje janë, ndoshta, një kujtesë për të gjithë ne që të prekim një pemë të mbuluar me myshk, të ulemi në bar – dhe të mos kemi frikë nga pak baltë.
















