Presioni i ajrit ka rënë ndjeshëm në rajonin tonë si pasojë e afrimit të masave ajrore ciklonike nga veriperëndimi i Kontinentit Evropian. Masat ajrore ciklonike në vete përmbajnë edhe sistemin frontal me vranësira dhe rrebeshe shiu/bore me vetëtima dhe bubullimë dhe kjo masë ajrore ka arritur deri në Kroaci tani. Ne jemi para masave ajrore frontale dhe për këtë arsye është nxehtë dhe fryjnë erëra të nxehta jugore, kurse pas frontit temperaturat bien dhe fillojnë të fryjnë erëra veriore ose veriperëndimore.
Fronti tek ne do të arrijë në orët e natës ose mëngjesin e hershëm të ditës së nesërme. Para dhe gjatë ardhjes së frontit do të ketë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Me ardhjen e frontit erërat jugore do të pushojnë dhe do të fillojnë të fryjnë nga veriu. Reshjet eventuale të shiut do të shndërrohen në reshje bore veçanërisht në viset kodrinore-malore, por edhe në disa ultësira.
Pas kalimit të frontit dhe reshjeve pritet që moti të stabilizohet përkohësisht (nesër pasdite). Menjëherë pas stabilizimit të motit do të kemi afrimin e një fronti të ri të ftohtë ajror nga veriu. Përsëri fillimisht do të kemi erëra jugore, kurse me ardhjen e frontit tjetër do të fillojnë erëra veriore (të premtën).
Pra, na pret një periudhë me ndryshime të shpeshta të kushteve sinoptike dhe reshje të shpeshta (por jo afatgjata) shiu dhe bore.
Të shtunën do të kemi stabilizim të motit dhe ngritje të temperaturave./Meteoballkan