Java që kemi hyrë do të karakterizohet me kushte të ndryshueshme sinoptike. Priten të gjitha nga pak, rreze diellore, vranësira të pjesshme e nganjëherë më të dendura, temperatura pranverore dhe verore, zagushi si dhe rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Sot dhe nesër në tërë rajonin pritet mot me alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell. Pasdite në disa rajone priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, por shumë pjesë të territorit do të mbesin pa reshje për shkak të natyrës së izoluara të këtyre reshjeve. Sidoqoftë nesër (e martë) nga mesdita dhe pasdite rrebeshet do të jenë më të përhapura dhe më përfshirëse dhe priten edhe vetëtima me bubullimë si dhe mundësi edhe për breshër.
Mot jo tërësisht stabil do të vazhdojë edhe nga e mërkura e tutje. Pra do të vazhdojë “avazi i njëjtë”. Priten alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell. Shumë pjesë të territorit pa reshje por nuk duhet të na befasojë ndonjë rrebesh i fuqishëm dhe i “papritur” me vetëtima, bubullimë, erë të fuqishme dhe breshër.
Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndonjë ndryshim të madh gjatë kësaj jave. Do të jetë relativisht nxehtë dhe me zagushi, ose thënë ndryshe nxehtësia subjektive e të nxehtit do të jetë më e lartë se temperatura reale dhe kjo do të vërehet qartë, megjithatë në kohën e rrebesheve dhe erërave do të vijë edhe freskia. Temperatura maksimale do të sillet rreth 22 deri në 27 gradë Celsius. Nga fundi i javës ulje të lehta të temperaturave./Meteoballkan