Kroacinë e pret një ndryshim i theksuar i motit, dhe parashikuesit e Institutit Shtetëror Hidrometeorologjik (DHMZ) kanë lëshuar paralajmërime për të mërkurën dhe të enjten për shkak të mundësisë së stuhive të fuqishme me bubullima.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile e Ministrisë së Punëve të Brendshme u kërkoi qytetarëve kujdes, duke njoftuar se për datat 9 dhe 10 shtator në disa zona janë në fuqi paralajmërime të portokallta për shkak të stuhive me bubullima, rrebesheve më të theksuara, por edhe mundësisë së përmbytjeve lokale të menjëhershme, goditjeve të erës me forcë stuhie dhe breshërit.
Parashikuesja e Institutit Shtetëror Hidrometeorologjik (DHMZ), Klara Severiq njoftoi ndryshimin e motit që do të përfshijë Kroacinë nga e mërkura, 9 shtator. Pritet mot më i paqëndrueshëm i shoqëruar me rrebeshe dhe stuhi me bubullima, fillimisht në Adriatikun verior e më pas edhe në pjesët e tjera të vendit. Lokalisht janë të mundshme goditje të forta ere me forcë stuhie, breshër, ndërsa në det nuk përjashtohet as shfaqja e trombeve detare. Për rajonin e Rijekës për të mërkurën dhe të enjten është lëshuar paralajmërim i portokalltë për shkak të gjasave të mëdha për zhvillimin e stuhive me bubullima, ndërsa për disa rajone të tjera janë lëshuar paralajmërime të verdha.
Në zonat e tjera ku janë lëshuar paralajmërime, shkalla e rrezikut është më e ulët. Deri të shtunën priten edhe reshje më të bollshme, veçanërisht në perëndim të Kroacisë, me mundësi përmbytjesh të menjëhershme dhe urbane. Me kalimin e frontit të ftohtë mbërrin edhe një ftohje e ndjeshme.
Sipas parashikimit të DHMZ-së, të mërkurën do të ketë vransira graduale nga perëndimi. Nga mesdita me vend priten shi dhe rrebeshe me bubullima, ku rrebeshet lokalisht mund të jenë shumë të theksuara. Pikërisht në zonën e Rijekës, e veçanërisht në Istri, pritet paqëndrueshmëri më e theksuar. Pasdite në Istri është e mundur edhe stuhi me bubullima.
Pranë sistemeve më të forta të bubullimave, era përkohësisht do të jetë e fortë, me vend edhe me forcë stuhie. Në zonën e Rijekës priten goditjet më të forta të erës me më shumë se 65 kilometra në orë, ndërsa lokalisht është i mundur edhe breshëri. Për shkak të reshjeve intensive ekziston rreziku i përmbytjeve të menjëhershme, ndërsa era e fuqishme mund të shkaktojë dëme në pronë, pemë si dhe probleme në trafik.
Qytetarëve u këshillohet kujdes i veçantë gjatë kalimit të sistemeve të stuhive. Drejtoria e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të jenë të përgatitur për stuhi më të forta dhe të mbrohen nga goditjet e rrufeve. Janë të mundshme probleme në trafik, ndërprerje të aktiviteve në ambient të hapur, si dhe dëmtime lokale si pasojë e erës, breshërit dhe shiut të bollshëm.
Për ditën e mërkurë, përveç paralajmërimit të portokalltë për zonën e Rijekës, paralajmërim i verdhë është lëshuar për zonat e Osijekut, Zagrebit, Karlovacit dhe Gospiqit. Të enjten paralajmërimet mbeten në fuqi në këto zona, ndërsa paralajmërimi i verdhë zgjerohet edhe në zonat e Kninit dhe Splitit.
Pavarësisht përkeqësimit, temperaturat do të jenë ende relativisht të larta. Temperatura e mëngjesit në brendësi të vendit do të lëvizë midis 13 dhe 18 gradë, ndërsa në Adriatik do të jetë nga 20 deri në 25 gradë. Temperatura më e lartë ditore kryesisht do të arrijë nga 28 deri në 33 gradë, ndërsa në lindje të vendit është i mundur edhe mot më i ngrohtë.















