Mot dukshëm më dinamik na pret edhe gjatë kësaj jave me fusha të fuqishme ajrore me presion të ulët atmosferik të cilat nga Evropa dhe Skandinavia do të trazojnë motin në Ballkan dhe do të shkaktojnë destabilizim mjaft të fuqishëm të motit, por në Kosovë gjatë javës priten rritje të temperaturave për shkak të veprimeve të këtyre fushave ajrore të cilat do të trazojnë Mesdheun me do të shkaktojnë rrymime të fuiqishme ajrore jugore në drejtim të viseve tona.
Kjo nënkupton rritjen e temperaturave dhe depërtimin e masave ajrore të ngrohta nga Mesdheu dhe Afrika veriore, por njëkohësisht këto masa ajrore nuk do të jenë të thata, përkundrazi shpeshherë do të sjellin vranësira dhe reshje shiu. Reshje të fuqishme shiu priten në Shqipëri e Mal të Zi, kurse në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore do të ketë periudha më të gjata me diell. Reshje më intensive mund të ketë edhe në Rrafshin e Dukagjinit.
E Hëna solli reshje shiu orëve të para, kurse dita vijoi me vranësira e reshje lokale.
Të Martën na pret mot me më pak reshje në të gjitha viset dhe me vranësira e diell. Reshjet rikthehen në mbrëmje ose gjatë natës.
Të Mërkurën në Shqipëri reshje të shpeshta lokale e më pak në Kosovë Temperaturat do të shënojnë rritje progresive për shkak të rrymimeve të vazhdueshme ajrore nga jugu.
Erërat jugore, vranësirat e reshjet lokale do të vazhdojnë edhe të Enjten e të Premten me rritje të mëtutjeshme të temperaturave, ndërkohë që fushat ciklonike ajrore nga Evropa afrohen edhe më shumë në viset tona, prandaj afër fundjavës do të ketë destabilizim intensiv të atmosferës me reshje atmosferike në të gjitha viset dhe depërtim të frontit të ftohtë ajror. Me ardhjen e frontit të ftohtë ajror erërat do të kthehen nga veriu dhe parashihet të kemi depërtim jetëshkurtër të ajrit të ftohtë arktik.
Të shtunën reshje intensive shiu në të gjitha viset me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe erëra të fuqishme nga veriu e në viset kodrinore-malore në Kosovë do të fillojnë reshje bore. Fjolla bore mund të ketë edhe në disa zona të ulëta në Rrafshin e Kosovës.
Sipas parashikimeve aktuale të dielën pritet stabilizim dhe përmirësim gradual i motit dhe reshjet do të pushojnë.
Pra, një javë me mot mjaft dinamik e me reshje të shpeshta atmosferike, njëkohësisht mot i ngrohtë me peirudha me diell. Reshje të fuqishme në pjesë të Shqipërisë. Afër fundjavës apo të shtunën reshje intensive në të gjitha viset me ulje të ndjeshme të temperaturave.
Për shkak të ndikimeve të sistemeve të fuqishme atmosferike ndryshime në parashikim gjatë kësaj jave mund të ketë dhe për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni me kohë në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan















