Gjatë natës do të kemi fuqizim të reshjeve atmosferike. Shi nëpër ultësira e borë në bjeshkët më të larta. Nuk përjashtohet mundësi që në ndonjë moment të ketë reshje të përziera edhe në disa zona paksa më të ulëta mbidetare, por jo në ultësira.
Dita e martë do të karakterizohet me mot të ftohtë me vranësira të dendura dhe me reshje të shpeshta shiu e në viset e larta malore do të vazhdojnë reshje bore. Temperaturat do të pësojnë ulje të mëtutjeshme.
Minimalja pritet të zbres deri në 2 gradë Celsius, kurse maksimalja deri në 8 gradë Celsius.
Reshje shiu do të ketë nesër edhe në shumë pjesë të Shqipërisë, lokalisht rrebeshe me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë. Në Maqedoninë Veriore po ashtu priten reshje shiu të shpeshta dhe intensive. Në viset e larta malore reshje bore.
Reshje shiu nesër priten edhe në Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Në veri të Malit të Zi do të fillojnë reshje shqote e bore.
Reshje do të dobësohen nga e mërkura, por vazhdojnë vranësirat e shpeshta. Në Shqipëri do të ketë periudha me diell nga dita e mërkurë, kurse Kosova do të vazhdojë të jetë nën “pushtetin” e vranësirave. Reshjet atmosferike do të jenë të dobëta dhe lokale nga e mërkura e tutje ngase nën ndikimin e masave ajrore anticiklonike reshjet atmosferike do të largohen nga trojet tona.
Me afrimin e fundjavës do të kemi gjasa për periudha me diell edhe në Kosovë. Mëngjeset do të jenë mjaft të ftohta, por ditët me rritje graduale të temperaturave./MeteoBallkan














