Bota po përballet me një fenomen gjithnjë e më shqetësues klimatik: valët gjigante dhe afatgjata të të nxehtit, të cilat po përhapen në sipërfaqe të mëdha të planetit dhe mund të zgjasin me muaj të tërë, madje edhe më shumë se një vit.
Një analizë e gjerë e publikuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters tregon se këto fenomene, të cilat në raport quhen “stuhitë e nxehtësisë” (Heat Storms), janë shtuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
Sipas analizës, gjatë viteve 1960 në botë regjistroheshin mesatarisht rreth pesë stuhi të tilla në vit, ndërsa gjatë kësaj dekade numri ka arritur në rreth 102 raste në vit.
Çfarë janë stuhitë e nxehtësisë?
Sipas metodologjisë së përdorur nga Reuters, një valë e të nxehtit konsiderohet “stuhi e nxehtësisë” kur zgjat të paktën pesë ditë rresht dhe, në pikun e saj, mbulon të paktën 1 për qind të sipërfaqes së Tokës.
Kjo sipërfaqe është afërsisht sa gjysma e territorit të Kanadasë.
Ndryshe nga valët e zakonshme të të nxehtit, këto sisteme mund të përfshijnë rajone të mëdha të planetit, të zgjasin për periudha të gjata dhe të shkaktojnë pasoja në disa kontinente njëkohësisht.
Stuhia më e madhe zgjati plot 367 ditë
Rasti më ekstrem i identifikuar nga analiza është pagëzuar me emrin Heat Storm Vera.
Kjo stuhi e nxehtësisë filloi më 29 korrik 2023 dhe përfundoi më 29 korrik 2024, duke zgjatur plot 367 ditë. Në kulmin e saj, ajo mbuloi pothuajse 85 për qind të sipërfaqes së planetit.
Pasojat u ndjenë në shumë pjesë të botës. Në Arabinë Saudite, temperaturat ekstreme gjatë pelegrinazhit të Haxhit kontribuuan në vdekjen e më shumë se 1.300 personave. Në Luiziana të SHBA-së, nxehtësia përkeqësoi thatësirën dhe zjarret, ndërsa në Amazonë u raportuan ngordhje masive të delfinëve të ujërave të ëmbla.
Efektet u shtrinë edhe në bujqësi, me dëme në prodhimin e kakaos dhe ullinjve në disa rajone.
Një fenomen që nuk ndalet prej më shumë se 18 vitesh
Një tjetër zbulim shqetësues i analizës është se, që nga 6 korriku 2008, në planet ka qenë vazhdimisht aktive të paktën një stuhi e nxehtësisë, ndërsa në shumë raste disa prej tyre janë shfaqur njëkohësisht.
Reuters ka analizuar temperaturat për çdo orë, që nga viti 1960, në më shumë se 1 milion zona të ndryshme të globit, duke bashkëpunuar me meteorologë dhe studiues të klimës.
Analiza gjithashtu identifikon një tjetër stuhi të quajtur Raimundo, e cila gjatë gushtit 2026 arriti të mbulonte një sipërfaqe edhe më të madhe të planetit se stuhia Vera në pikun e saj.
Çfarë i shkakton këto fenomene?
Ngrohja globale dhe rritja e temperaturave përbëjnë faktorët kryesorë që favorizojnë përhapjen dhe intensifikimin e valëve ekstreme të të nxehtit. Fenomeni El Niño mund t’i përforcojë më tej këto kushte.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te temperaturat e larta. Ato mund të përkeqësojnë thatësirat, të favorizojnë përhapjen e zjarreve pyjore, të dëmtojnë të korrat bujqësore dhe të rrisin presionin mbi burimet ujore.
Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave ekstreme përbën gjithashtu rrezik serioz për shëndetin e njeriut.
Duhet theksuar se termi ‘stuhi e nxehtësisë’ nuk përfaqëson një klasifikim zyrtar meteorologjik, por është një emërtim i përdorur në kuadër të hulumtimit të Reuters për të përshkruar valët ekstreme dhe afatgjata të të nxehtit.













