Nesër në Kosovë na pret mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu, vende-vende nganjëherë me intensitet më të lartë. Paradite do të fryjnë erëra nga jugu dhe perëndimi, kurse vonë pasdite dhe në mbrëmje do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu të cilat edhe do të shkaktojnë që reshjet e shiut të shndërrohen në borë në shumë pjesë të Kosovës, megjithatë reshjet e borës nuk do të zgjasin shumë.
Temperaturat pritet të luhaten nga 3 minimalja deri në 13 maksimalja. Në mbrëmje depërtim i ajrit të ftohtë sidomos në Rrafshin e Kosovës.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi të dielën pritet të mbajë mot me vranësira të dendura dhe reshje të shpeshta lokale shiu. Reshje intensive shiu priten në veri të Shqipërisë, ndërsa në veri të Malit të Zi do të fillojnë reshje të dendura bore. Në Maqedoninë Veriore priten periudha pa reshje dhe me periudha me rrebeshe lokale shiu me mundësi edhe për vetëtima dhe bubullimë. Bora do të vazhdojë në malet e larta të gjitha rajonit, por në mbrëmje pritet të ketë edhe në disa zona të ulëta në Kosovë dhe në veri të Malit të Zi.
Të hënën një përmirësim afatshkurtër i motit me rifillim të erërave të ngrohta nga jugu e jugperëndimi si shenjë e afrimit të ciklonit të fuqishëm i cili të martën do të sjellë fillimisht reshje shiu e pastaj erëra të ftohta veriore e reshje bore./MeteoBallkan















