Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Pasdite vonë në disa rajone kryesisht në Dukagjin mund të ketë riga lokale shiu. Do të fryjnë erëra të lehta dhe mesatare nga jugu dhe jugperëndimi.
Në Shqipëri do të ketë alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell. Pasdite priten edhe reshje lokale shiu.
Reshje lokale shiu pasdite priten edhe në Mal të Zi, kurse në Maqedoninë e Veriut do të mbajë mot kryesisht i thatë, me intervale kohore me diell dhe vranësira.
Nesër në tërë rajonin do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Në Kosovë gjatë ditës mund të ketë intervale kohore me diell, ndërsa pasdite vonë ose në mbrëmje priten vranësira të dendura dhe reshje shiu. Në viset e larta malore mund të ketë reshje bore. Në Shqipëri priten reshje shiu të cilat vende-vende do të jenë intensive dhe me mundësi edhe për bubullimë. Rrebeshe shiu priten edhe në Mal të Zi, ndërsa në Maqedoninë e Veriut reshjet lokale të shiut do të fillojnë vonë pasdite ose në mbrëmje.
Nga e hëna do të kemi mot të paqëndrueshëm. Do të kemi intervale kohore me diell, vranësira dhe vende-vende edhe reshje të herëpashershme shiu, por do të jetë relativisht ngrohtë për këtë periudhë kohore./Meteoballkan