Natën e kaluar dhe në orët e hershme të mëngjesit patëm fjolla dëbore në shumë pjesë të Kosovës, por edhe Shqipërisë, ndërsa tani kemi mjaft intervale kohore me diell dhe temperaturat kanë shënuar ngritje të ndjeshme.
Mirëpo një sistem frontal gjatë natës së sontme fillimisht do të përfshijë perëndimin e Kosovës me reshje të dendura shiu. Ekzistojnë gjasa që të ketë edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Sistemi do të lëviz nga perëndimi, nëpërmjet qendrës në drejtim të lindjes së vendit. Reshjet intensive nuk do të zgjasin edhe aq shumë, por mund të ndodhë që të ketë vërshime të shpejta afatshkurtra. Në disa rajone reshjet mund të përzihen me shqotë dhe borë. Në orët e hershme t[ë mëngjesit ulet intensiteti i reshjeve, ndërsa nesër gjatë ditës pritet mot me intervale kohore me diell dhe i ngrohtë për këtë periudhë kohore.
Rrebeshe intensive lokale shiu sonte gjatë natës priten edhe në territorin e Shqipërisë ku mund të ketë edhe breshër. Nesër përmirësim i përkohshëm i motit, ndërsa të dielën pasdite ose në mbrëmje reshje të reja shiu në tërë rajonin./Meteoballkan