Masa jashtëzakonisht të fuqishme ajrore ciklonike nga Oqeani Atlantik kanë përfshirë shumë pjesë të Evropës jugperëndimore, perëndimore dhe veriperëndimore duke shkaktuar stuhi të fuqishme shiu fillimisht në Spanjë dhe Britaninë e Madhe. Ciklonet nga Atlantiku këtë fundjavë do të përfshijnë edhe Italinë dhe Gadishullin Ballkanik.
Ciklonet po shkaktojnë dhe do të shkaktojnë reshje të fuqishme shiu dhe erëra mjaft të fuqishme që nga Spanja, Franca Italia, Gjermania, Zvicra, Austria Polonia, pastaj nga nesër dhe pasnesër një vorbullë e re ciklonike do të krijohet në Italinë veriore dhe do të përfshijë gadishullin Ballkanik ditën e diel duke shkaktuar reshje të fuqishme dhe po ashtu edhe erëra të fuqishme jugore.
Stuhi të fuqishme priten që nga Sllovenia, Kroacia , Bosnja dhe Hercegovine, Mali i Zi, Shqipëria etj. Reshje të dendura shiu dhe erëra herë pas here të fuqishme të dielën priten edhe në Kosovë. Në viset më të larta malore do të ketë reshje bore.
Në Bregdetin Adriatik priten shtrëngata të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa rrebeshet e shiut me vetëtima dhe bubullimë mund të paraqiten edhe në viset kontinentale të rajonit për shkak të temperaturave të larta këtë Dhjetor.
Deri të hënën masat ajrore ciklonike do ti kemi në drejtim të perëndimit dhe për këtë arsye do të kemi rrymime ajrore të nxehta nga jugu, kurse nga e hëna masat ajrore ciklonike do të jenë në lindje të Evropës dhe për këtë arsye në rajonin tonë do të fillojnë të fryjnë erëra pak më të ftohta nga veriu.
Nga e hëna në Kosovë do të fillojë ulja e temperaturave dhe do të kemi reshje të herëpashershme bore në viset kodrinore-malore, ndërsa gjatë javës së ardhshme reshje afatshkurtra bore mund të ketë në shumë pjesë të Republikës së Kosovës./Meteoballkan