Një sistem i fuqishëm atmosferik ka sjellë kushte të paqëndrueshme të motit në pjesë të Shteteve të Bashkuara, me reshje të dendura shiu, breshër, erëra të forta dhe rrezik për zhvillimin e tornadove.
Sipas parashikimeve meteorologjike, stuhitë kanë përfshirë ose kërcënuar pjesë të Teksasit, Oklahomës, Kansasit dhe Misurit. Në disa zona, erërat mund të arrijnë shpejtësi mbi 75 milje në orë, apo rreth 120 kilometra në orë, duke krijuar rrezik për dëmtime materiale, rrëzimin e pemëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Meteorologu Evan Bentley ka paralajmëruar se një masë ajri e lagësht po lëviz drejt rajonit qendror të vendit, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e stuhive të fuqishme.
Situata meteorologjike ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat mbahen më 3 nëntor. Në disa prej shteteve të rrezikuara nga moti i keq zhvillohen gara të rëndësishme politike, ndërsa ekzistojnë shqetësime se reshjet dhe kushtet e vështira atmosferike mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e votuesve.
Megjithatë, sipas ekspertëve të cituar nga NBC News, ndikimi i motit në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve pritet të jetë i kufizuar.
Paralajmërime për përmbytje lokale janë dhënë gjithashtu për disa zona të Luginës së Poshtme të lumit Misisipi, përfshirë rajonin e Memfisit.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e Bregut Perëndimor dhe atij Lindor pritet të ketë kushte më të qëndrueshme atmosferike, megjithëse reshje të mundshme parashikohen në disa zona të Kalifornisë Veriore, Floridës dhe Maine.
Ndikimi i motit në pjesëmarrjen e votuesve është trajtuar edhe në studime shkencore. Një analizë e profesorit Brad Gomez nga Universiteti Shtetëror i Floridës, e cila përfshinte zgjedhjet presidenciale amerikane të viteve 1948–2000, tregoi se çdo inç shtesë reshjesh mbi mesataren në një distrikt shoqërohej me një rënie prej rreth 0.8 pikësh përqindjeje në pjesëmarrjen e votuesve.
Megjithatë, studiuesi ka theksuar se ndryshimet në mënyrat e votimit ndër vite e bëjnë të vështirë përcaktimin nëse ky ndikim ëshë i njëjtë edhe në ditët e sotme.
















