Pothuajse gjatë tërë muajit Janar kemi pasur ndikim të fortë të fushave të fuqishme ajrore me presion të ulët atmosferik të cilat kanë sjellë reshje rekorde atmosferike të cilat kanë kushtëzuar edhe vërshime masive në rajonin tonë. Tani jemi në fund të Janarit dhe këto fusha ajrore që depërtojnë nga Atlantiku përmes Italisë veriore dhe Detit Adriatik janë ende aktive dhe do të na sjellin reshje të reja atmosferike.
Reshjet do të fillojnë sonte në formë të fjollave të dëborës, por nuk priten reshje të mëdha. Gjatë ditës së nesërme ngritje e temperaturave dhe mundësi edhe për ndonjë interval kohor me diell. Në mbrëmje dhe gjatë natës reshje të reja të dendura shiu në shumë pjesë të Kosovës dhe Shqipërisë. Në viset malore reshje bore. Reshjet e shiut mund të përzihen në disa rajone edhe me reshje bore, megjithatë temperaturat mbesin të larta dhe pritet shkrirja e borës.
Gjatë fundjavës përmirësim afatshkurtër i motit, ndërsa pasditen e së dielën vjen cikloni i ri me reshje të reja shiu.
Pra, sasisë së madhe dhe rekorde të reshjeve atmosferike gjatë këtij Janari do ti shtohen vlera të reja shiu që pritën veçanërisht natën mes së premtes dhe së shtunës dhe sipas të gjitha gjasave ky Janar do të mbahet mend gjatë për sasi rekorde reshjesh atmosferike në Kosovë./Meteoballkan