Edhe pse muaji Dhjetor solli shumë të reshura atmosferike në Evropë por edhe në shtetet përreth, kjo nuk ndodhi në Kosovë. Masat e fuqishme ajrore ciklonike nga Atlantiku dhe Mesdheu dukeshin mjaft premtuese edhe për Republikën e Kosovës, megjithatë nuk arritën të sjellin reshjet e shumëpritura edhe pse kishim reshje simbolike.
Reshje intensive pati në Shqipëri ditëve të kaluara dhe kjo ndikoi sadopak në zbutjen e thatësisë esktreme atje, por jo në tërë territorit shqiptare. Edhe në Maqedoninë Veriore pati pak më shumë reshje se në Kosovë, normalisht jo në nivele të kënaqshme, ndërsa për Malin e Zi as mos të flasim.
Siç duket edhe ditëve të ardhshme do të vazhdojë trend i ngjashëm. Do të jemi nën ndikimin e masave ajrore ciklonike, por lagështia e këtyre masave nuk po arrin në Kosovë dhe kjo për arsye të ndryshme gjeografike, orografike etj.. E tëra që pritet janë disa riga simbolike, gjegjësisht disa fjolla dekorative dëbore.
Në fotografinë kryesore shohim trendin e reshjeve atmosferike për ditët e ardhshme dhe shohim se Kosova do të ketë deficit të reshjeve dhe kjo është me të vërtetë brengosëse, por ndryshimet janë të mundshme dhe të shpresojmë sepse tjetër nuk na mbetet.