Ndërsa BBC po transmeton hap pas hapi këto ditë, operacionin që po zhvillohet në ishullin White në Zelandën e Re, ku vullkani vrau 15 turistë dhe trupat e tyre po tërhiqen hap pas hapi, ka publikuar një video të rrallë kur vullkani Etna në Siçili shpërtheu në kohën kur ekipi i kameramanëve të BBC po e xhironte.
Pamjet e 16 marsit 2017 tregojnë qartë dhe ilustrojnë atë tmerr që përjetuar viktimat në Zelandë dhe ata që gjenden ende në spitale me djegie të rënda dhe në rrezik për jetën.
Ekipi i BBC iu afrua vullkanit sa më shumë se ç’duhej dhe shpërthim i papritur thuajse e flaku tutje. Në Twitter, korrespodentja e Shkencave Globale të BBC, Rebeca Morelle, tha se llava dhe avulli shpërthyen në majë ndërkohë që ata po bridhnin aty rreth e rrotull.
Shkëmbinj dhe hi i zjarrtë u hodhën në drejtim të tyre dhe disa njerëz, që ishin më afër, megjithëse me lëndime, fatmirësisht dolën gjallë dhe mirë. “T’ia kërcisje vrapit teposhtë malit, duke u bombarduar nga shkëmbinj, duke shmangur gurë që të përvëlonin dhe avullin që përvëlonte, është një gjë që nuk dua ta provoj më kurrë në jetën time,” shkroi Morelle.
Zhytësit në Zelandën e Re kontrolluan ujërat e kontaminuara pranë vullkanit në ishullin White të shtunën me qëllimin për të nxjerrë dy trupat që mbetën aty, pas shpërthimit vullkanik që ndodhi të hënën, njofton Reuters.
Ekipi i zhytësve kreu kontrollin gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi rreth e rrotull ishullit White, që njihet edhe me emrin e vendasve maori si Whakatari,
Ujërat u ndotën nga shpërthimi masiv i shkëmbinjve, llavës dhe kimikateve të hënën, duke vështirësuar pamjen. Numri i të vdekurve ka arritur në 14, por mund të rritet pasi në spital ka ende persona në kujdes intensiv për shkak të djegieve të rënda.
“Zhytësit kanë njoftuar se kanë parë një numër të madh peshqish dhe ngjalash të ngordhuraqë pluskojnë në ujë,” tha Policia në një deklaratë. Sa herë që zhytësit dalin në sipërfaqe, ata dekontaminohen me ujë të pastër.
Policia ka identifikuar zyrtarisht, viktimën e parë të vullkanit në ishullin White, ndërkohë që operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon. Ajo është Krystal Eve Browit, 21 vjeçe, nga Melburni i Australisë, që po e vizitonte ishullin bashkë me familjen e saj, njofton BBC.
Babai i saj Paul dhe motra Stephanie janë të dy në spital me plagë të rënda. Pesëmbëdhjetë të vdekur janë konfirmuar deri tani dhe 20 persona janë nën kujdes intensiv në spital me djegie të shumta.
Policia tha të shtunën se viktima e fundit vdiq në spital. Autoritetet e publikuan emrin e vajzës 21-vjeçare pasi njoftuan më parë familjen e saj.