Cikloni i fuqishëm është krijuar tani në Gjirin e Gjenoves në Italinë veriore. Ky ciklon pritet të përfshijë tërë shumë pjesë të Gadishullin Ballkanik. Presioni i ajrit ka rënë dukshëm nën vlerat normale dhe për këtë arsye do të kemi edhe erëra por nuk pritet asgjë esktreme. Në bregdetin e hapur do të ketë erëra mjaft të fuqishme dhe dallgë të trazuara.
Pasi që jemi nën ndikimin e masave të nxehta ajrore ky ciklon nuk do të na sjellë reshje bore përveç viseve kodrinore malore. Bile në Kosovë nuk do të ketë as reshje shiu në tërë territorin ose reshjet do të jenë të dobëta.
Reshje të dendura bore do të përfshijnë Slloveninë sot pasdite, pastaj viset kodrinore malore të Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Gjatë natës reshje të dendura shiu do të përfshijnë Shqipërinë ku vende-vende do të ketë edhe shtrëngata me vetëtima dhe bubullimë. Reshje shiu priten edhe në Kosovë gjatë natës dhe mëngjesit por në shumë rajone reshjet do të jenë të pakta, më të theksuara do të jenë në disa pjesë të Dukagjinit. Në viset malore në kufi Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mali i Zi , Kosovë gjatë nates dhe mëngjesit të nesërm priten reshje të dendura bore.
Gjatë natës qendra ciklonike do të vije pikërisht përmes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për këtë arsye erërat do të dobësohen.
Stuhi të fuqishme sot, sonte dhe nesër priten përgjatë bregdetit të Adriatikut që nga Sllovenia e deri në Detin Jon në jug të Shqipërisë dhe në Greqi po ashtu.
Cikloni nesër pritet të largohet në drejtim të Greqisë dhe në rajonin tonë pritet stabilizim gradual i motit./Meteoballkan